Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq tha të mërkurën në Zagreb se nuk është i shqetësuar nga deklaratat e Presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili sot tha se aleanca ushtarake Kroaci-Kosovë-Shqipëri e kërcënon Serbinë.

Anushiq, edhe një herë hodhi poshtë tezën se deklarata e bashkëpunimit midis tre vendeve përbën kërcënim për dikë.

“Doktrina jonë ka të bëjë me parandalimin, jo me ndonjë veprim agresiv apo ndonjë sulm apo fillimin e ndonjë konflikti”, tha Anushiq.

Reklamë

Ai ka përsëritur se ka kaluar koha kur dikush i diktonte Kroacisë se çfarë të bëjë.

“Në pyetjen për reagimin e Serbisë, përgjigjja është e njëjtë – ka kaluar koha kur dikush i diktonte Kroacisë, sot një shtet sovran dhe anëtar i NATO-s dhe BE-së, se çfarë do të bënte dhe si do të zhvillonte politikën e saj. Ajo kohë nuk do të ndodhë më kurrë”, ka shkruar ministri kroat.

Ai ka shkruar se Kroacia dhe Shqipëria, si vende mike dhe aleatë të NATO-s, ndajnë një interes të përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

“Ne gjithashtu duam të thellojmë bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, ku Kroacia dhe Shqipëria mund të bëjnë më shumë së bashku – si për të forcuar aftësitë mbrojtëse ashtu edhe për të zhvilluar ekonomitë e të dy vendeve”, ka shkruar Anushiq.

Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një deklaratë mbi forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje në fillim të vitit të kaluar.

Vuçiq deklaroi më pas se duke nënshkruar këtë marrëveshje me Kosovën, Kroacia dhe Shqipëria hapën një garë armatimesh në rajon.

Reklamë

Presidenti serb tha se “aleanca ushtarake” përfaqëson kërcënimin më të madh për Serbinë, pasi Shqipëria, Kosova dhe Kroacia njoftuan në një takim trepalësh të udhëheqësve ushtarakë në Tiranë se do të zhvillojnë stërvitjen e tyre të parë të përbashkët ushtarake këtë vit./Reporteri.net/