×
  • Lajme
  • Rajon

    Miratohet Qeveria e re e Serbisë

    Reporteri
    26 Tetor 2022 | 20:41

    Parlamenti i Serbisë ka votuar të mërkurën për Qeverinë e re, e cila do të ketë prioritet investimet në infrastrukturën e energjisë dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

    Kabineti i ri do të ketë në krye Ana Bërnabiqin, e cila ka pasur rolin e kryeministres edhe në dy qeveritë e kaluara.

    Qeveria e re do të ketë 28 ministra, kryesisht nga Partia Progresive Serbe dhe Socialistët.

    Për Qeverinë e re kanë votuar 157 deputetë, nga 250 sa janë në total.

    Deputetet e opozitës kanë votuar kundër kabinetit të ri qeveritar, duke thënë se Qeveria e re është shumë e madhe dhe e shtrenjtë.

    Gjatë adresimit të saj, Bërnabiq ka thënë se Qeveria e re planifikon të investojë 12 miliardë euro në projekte të energjisë, duke përfshirë gazsjellës dhe tubacione nafte, si dhe që të rrisë kapacitetet e prodhimit të energjisë.

    Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian përbën “destinacion strategjik” për Serbinë.

    Në exposenë e saj, Bërnabiq ka thënë se Serbia mbetet e përkushtuar për dialog me Kosovën, mirëpo “para marrëveshjeve të reja për normalizim, duhet të miratohen plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel”.

    Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

    Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

    Serbia ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 3 prill.

    Rezultat përfundimtare janë bërë publike më 5 korrik, për shkak të përsëritjes së procesit zgjedhor në jug të Serbisë./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!