×
  • Lajme
  • Rajon / Intervista në CNN

    “Ne s’duam incidente”, Vuçiq e luan të pafajshmin në CNN, moderatorja e kundërshton me fakte

    Reporteri
    02 Tetor 2023 | 19:47

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka luajtur të pafajshmin referuar sulmit terrorist nga kriminelë serbë ndaj Policisë së Kosovës në një intervistë për CNN.

    Për të tentuar ta heqë fajin nga vetja, pavarësisht se Kosova ka prezantuar mjaftueshëm dëshmi që e lidhin Vuçiqin me sulmin terrorist, ai ka thënë se “Serbia është e fundit që do incidente”, shkruan Reporteri.net.

    “Duam një prani më të madhe të KFOR-it në veri të Kosovës; Serbia është e fundit që do incidente në Kosovë”.

    Madje, ai i viktimizoi serbët që morën pjesë në sulm terrorist, duke thënë se donin ta mbronin vetën “nga terrori i Kurtit”, akuzë kjo për të cilën po kapen vazhdimisht. Mirëpo tha se kriminelët do të dënohen, pa përmendur këtu Radojiçiqin.

    “Sigurisht Serbia do të mbajë përgjegjës gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale, prokurorët do të duhet të kryejnë punën e tyre. Problemi është që serbët donin ta mbronin veten”, u shpreh ai, ndërsa moderatorja e emisionit e kundërshtonte me fakte gjatë gjithë intervistës. Madje me ironi në një rast Vuçiq iu referua asaj “faleminderit që po tregohesh objektive dhe e paanshme”.

    Presidenti serb po ashtu tha se vendosja e ushtarëve në kufi me Kosovën nuk ka të bëjë me faktin se duan ta heqin vëmendjen nga kryeterroristi Radojiçiqi, i cili po kërkohet që të arrestohet.

    “Jo aspak nuk ishte rasti, në ushtrinë tonë njerëzit e ndjekin situatën dhe i lëvizin forcat tona në atë mënyrë që ata besojnë se mund të jetë më e dobishme dhe ata kanë operacionet e tyre. Nuk kam firmosur as për gatishmëri të lartë për popullin tonë të ushtrisë”.

    “Numri i njerëzve nuk ishte as 60% e asaj që kemi përdorur në një kufi. Nuk ishte dëshmi e asgjëje, sepse Serbia ishte vendi i fundit që kishte nevojë për ato incidente në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.

    I njëjti ka pretenduar se është i gatshëm që të negociojë me Kosovën, dhe këtu përmendi nevojën e themelimit të Asociacionit. Kosova, në anën tjetër, pas sulmit terrorist në Banjskë, me urdhër të Vuçiqit është shprehur skeptike për t’u ulur në tryezën e dialogut me presidentin serb.

    “Ne jemi të gatshëm për të negociuar, ka diçka që Prishtina nuk është gati ta bëjë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kjo është pengesa e madhe. Jam gjithmonë në dispozicion në emër të miqve evropian dhe amerikan”, u shpreh Vuçiqi.

    “Paqja është interesi i gjithë serbëve dhe rajonit. Ne kemi shumë gjëra për të humbur pse të luajmë lojëra, për këtë arsye jemi të gatshëm për të negociuar”.

    “Mos të shohim më shqiptarët dhe serbët të vuajnë, dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë, një bashkëpunim më të madh ekonomik”, ka thënë Vuçiq. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!