×
  • Lajme
  • Rajon / Rajoni

    Përfundojnë votimet për presidentin dhe Parlamentin e ri maqedonas

    Reporteri
    08 Maj 2024 | 20:23

    Në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në të cilat të drejtën vote kishin 1.8 milion qytetarë, shkruan Radio Evropa e Lirë. 

    Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), dalja në votimet për president është mbi 40 për qind, që do të thotë se Maqedonia e Veriut të mërkurën, më 8 maj, ka zgjedhur presidentin e ri të shtetit.

    Dalja në zgjedhjet parlamentare, sipas KSHZ-së është më e lartë se 45 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulëseve.

    Pritet që KSHZ-ja t’i shpallë rezultatet preliminare para mesnatës.

    Në garën për president në rundin e dytë të zgjedhjeve u përballën Gordana Silanovska-Davkova nga VMRO DPMNE, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski.

    Davkova në rundi e parë, të mbajtur më 24 prill, kishte fituar me një diferencë prej 20 për qind të votave kundërkandidatin e saj socialdemokrat.

    VMRO DPMNE-ja në paraqitjen e parë pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00 tha se “të mërkurën ka dështuar skenari i Bashkimit Demokratik për Integrim [BDI] për dështimin e zgjedhjeve presidenciale”.

    Timço Musunski nga VMRO-ja tha “fituese e zgjedhjeve është VMRO DPMNE-ja ndërsa BDI-ja do të shkojë në opozitë”.

    Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, tha se procesi zgjedhor ka qenë demokratik dhe se fitues i zgjedhjes është Fronti Evropian që udhëhiqej nga BDI-ja.

    Zëdhënësja e Lidhjes Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, Bogdanka Kuzeska tha se zgjedhdjet “ishin të suksesshme, paqësore dhe dinjitoze, siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian”.

    Procesi zgjedhor u zhvillua në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre u monitorua nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.

    “Misioni i ODIHR-së do të shpallë rezultatet fillestare të vëzhgimit ditën e enjte. Ne do t’i shqyrtojmë rezultatet e tjera kur ato vijnë nga i gjithë vendi dhe më pas do të nxjerrim përfundimet tona bazuar në vëzhgimet e dhëna nga vëzhguesit tanë të shumtë”, ka deklaruar më herët gjatë 8 majit shefja e misionit të ODIHR-së, Jilian Stirk.

    Këto ishin zgjedhjet e para të dyfishta që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut që nga vendosja e demokracisë në vitet ‘90.

    Në garën për Parlamentin e ri morën pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore u zhvillua mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.

    Në radhët e Frontit Evropian garuan edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.

    Zgjedhjet parlamentare u mbajtën me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.

    Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse.

    Beteja kryesore për partitë shqiptare pritet të jetë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.

    Bazuar në sondazhet, dhe në veçanti në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill, VMRO DPMNE-ja është favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje.

    Gara për president mes Davkovës dhe Pendarovskit

    Të mërkurën, në garë për president ishin kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova e VMRO-DPMNE-së në opozitë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social Demokrate në pushtet.

    Në rundin e parë, Davkova i fitoi 363.000 vota, apo 40 për qind – ndërsa kundërshtari i saj Pendarovski rreth 180.000 vota, apo 19 për qind.

    Që zgjedhjet presidenciale të ishin të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet t’i fitojë shumicën e votave të qytetarëve, sipas legjislacionit, duhet që dalja të jetë së paku 40 për qind. Në zgjedhjet e 8 majit ky prag u arrit.

    Tani, Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën, më 12 maj.

    Në këtë rast, seanca ceremoniale për inaugurimin e presidentit të ri do të mbahej nga deputetët në largim.

    Mirëpo, sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), këto afate deri më 12 maj mund të respektohen vetëm pasi KSHZ-ja t’i ketë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, përkatësisht nëse nuk ka ankesa për procesin zgjedhor.

    “Kandidati për president që fiton zgjedhjet, duhet të bëjë një deklaratë solemne para Kuvendit dhe, sipas Kushtetutës, mund të bëhet edhe para përbërjes së vjetër parlamentare. Përbërja e vjetër parlamentare e ka një të drejtë të tillë, duke qenë se kemi edhe zgjedhje parlamentare. Pastaj, presidenti i ri do ta caktojë mandatin për të formuar një Qeveri të re”, thotë Novakovski.

    Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka ankesa nga kandidatët dhe partitë politike. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat ligjorë për këtë rast.

    Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

    Zgjedhjet e të 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi. Procesi zgjedhor zhvillohet në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohen nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!