Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, në Tivat të Malit të Zi ku po mbahet samiti i BE-Ballkani Perëndimor, tha se vendi i tij e mbështet anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Europian.

“Forcimi i Europës do të thotë zgjerimi i saj, dhe Ballkani Perëndimor është pjesë e këtij projekti. Spanja e mbështet rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian: më shumë zgjerim, më shumë forcë dhe më shumë prosperitet të përbashkët”, tha Sanchez.

Ai theksoi se Bashkimi Europian është i paplotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor, duke veçuar anëtarësimin për Serbinë.

Reklamë

“Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë si për reformat e brendshme, ashtu edhe për zgjerimin e Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë”, shtoi kryeministri spanjoll.

“Po festojmë 40-vjetorin e anëtarësimit të Spanjës në Bashkimin Evropian. Prandaj, besoj se rruga e reformave të brendshme në demokraci, sundimin e ligjit, ekonominë sociale të tregut dhe fusha të tjera është shumë e rëndësishme. E gjithë kjo pasqyrohet në traktatet tona”, tha Sanchez.

Para nisjes së takimit, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se ndër temat që do të diskutonin në samit ishte edhe zgjerimi i Unionit.

Në këtë drejtim, ajo lavdëroi dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për hapat e ndërmarrë: Malin e Zi dhe Shqipërinë.