Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po merr pjesë sot në Tiranë në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, liderë të 13 vendeve evropiane dhe zyrtarë të BE-së.
Serbia është i vetmi vend që do të kërkojë ndryshime në tekstin e deklaratës që duhet të miratohet. Sipas mediave serbe, Serbia do të kërkojë që të hiqen nga deklarata:
1. Sanksionet për Federatën Ruse
2. Ndikimi malinj i Federatës Ruse në vendet e rajonit
3. Që në tekst të mos përdoret referimi “Vendet” por “Ballkani Perëndimor 6”.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të ketë harmonizim të tekstit të deklaratës, Vuçiq tha se ka disa propozime dhe se harmonizimi ka zgjatur gjithë natën. “Do të shohim, por e vetmja gjë që mund të them është se do t’i përmbahem parimeve dhe principeve të miratuara nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë dy vjet më parë”, përfundoi Vuçiq.
Në Samit marrin pjesë Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo, Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.
Samiti ka si qëllim solidaritetin e mëtejshëm të vendeve të Evropës Lindore, në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus.
Vendet pjesëmarrëse do të diskutojnë se si mund të punojnë së bashku dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë duke mbështetur Ukrainën.
Samiti do të mbyllet në orën 13:30 me një konferencë për shtyp mes Zelenskyt dhe Ramës.
Kujtojmë se më herët mëngjesin e kësaj të mërkure u nënshkrua “Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”, nga Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.
Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.
Gjatë takimeve bilaterale, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i dorëzoi Kryeministrit Rama Urdhrin e “Princit Jaroslav i Urti”, për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen.