Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Çupić, ka shpallur zgjedhjet për President të Republikës, të cilat do të mbahen më 27 dhjetor.
Vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe Ligjin për Zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Me këtë rast, Çupić u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e institucioneve demokratike dhe të informimit të drejtë të publikut.
“Ndërtimi i institucioneve demokratike është detyrë e të gjithëve, veçanërisht e aktorëve politikë dhe mediave. Ligjet e mira janë themelet e shoqërisë sonë, ndërsa qytetarët e informuar janë vendimmarrësit e vërtetë. Shpresoj që qytetarët të kenë një zgjedhje të vështirë mes kandidatëve cilësorë dhe programeve të tyre”, ka deklaruar ai.
Çupić u bëri thirrje qytetarëve të Serbisë që më 27 dhjetor të votojnë, në mënyrë që presidenti i ri të marrë mbështetje dhe legjitimitet të fortë nga populli.
Sipas ligjit, zgjedhjet presidenciale në Serbi duhet të shpallen jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para datës së mbajtjes së tyre.
Ndërkohë, ish-presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishte shkurtuar mandatin e tij dhe më 27 shtator kishte dhënë dorëheqje, me qëllim që të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare.