Shefi i diplomacisë italiane, Antonio Tajani e ka quajtur konstruktiv qëndrimin e Serbisë në dialog, teksa vendimet e Prishtinës i ka cilësuar si të “njëanshme dhe që nuk çojnë në zgjidhje”, shkruan Reporteri.net.
“Iniciativat e njëanshme nuk mund të çojnë në zgjidhjen e problemit, e vlerësoj shumë qëndrimin konstruktiv që tregoi Serbia dje”, tha Tajani pas një takimi që kishte me kolegun e tij serb Ivica Daçiq në Beograd, shkruan gazeta serbe Danas.
Italia beson se dialogu me Ballkanin duhet të thellohet edhe më shumë në dritën e integrimeve evropiane sepse, siç tha ai, është në interes të të dyja palëve ruajtja e paqes dhe stabilitetit.
“Ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të ulur tensionet në atë pjesë të Ballkanit”, tha ai.
Kujtojmë se dje në Bruksel në takimin maratonik trilateral BE-Kosovë-Serbi, nuk u arrit marrëveshje në lidhje me targat.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borell, deklaroi se ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai cili nuk u pajtua me propozimet e BE’së për një zgjidhje për rrugën para për çështjen e targave.
BE-ja kishte propozuar që Kosova të mos japë gjoba për targat ilegale, e të vazhdojë me qortime e Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës.
Në anën tjetër, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se propozimi i BE-së që Kosova mos të shqiptojë gjoba dhe Serbia mos të lëshojë targa KM është i papranueshëm për të.
Më vonë me kërkesë të ambasadorit amerikan, Kurti ka shtyrë zbatimin e fazës tjetër të vendimit, përkatësisht gjobitjes, për një tjetër 48 orësh. /Reporteri.net