×
  • Lajme
  • Rajon

    Trembëdhjetë të vdekur pas shembjes së çatisë së një stacioni të trenit në Serbi

    Reporteri
    01 Nëntor 2024 | 19:26

    Një çati prej betoni mbi hyrjen e një stacioni hekurudhor në qytetin verior serb të Novi Sadit u shemb të premten, duke lënë pas vetes 13 të vdekur.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se të paktën katër persona të tjerë u shtruan në spital me plagë të rënda, ndërsa ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin nga rrënojat dy të gjallë.

    Ambulancat dhe ekipet e tjera të urgjencës u dërguan në stacionin në qendër të qytetit dhe buldozerët po largonin rrënojat në kërkim të të mbijetuarve. Rreth 80 ekipe shpëtimi ishin në vendngjarje ndërsa makineritë e rënda hoqën pjesë të mëdha të rrënojave.

    Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë shfaqën njerëz që hynin e dilnin nga ndërtesa dhe uleshin në stola në një ditë me diell përpara se çatia prej betoni u rrëzua papritmas mbi ta. Objekti është rinovuar së fundmi.

    Kryeministri serb Milosh Vuçeviç tha se kjo është “një e premte e zezë për ne, për gjithë Serbinë”.

    Ai tha se çatia ishte ngritur në vitin 1964 dhe një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar se çfarë ndodhi dhe kush është përgjegjës për tragjedinë.

    Kompania shtetërore hekurudhore e Serbisë tha se çatia e rrëzuar nuk ishte pjesë e rindërtimit të kryer së fundmi në ndërtesën e stacionit.

    Autoritetet e shpallën të shtunën ditë zie./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!