Shpëtim Musliu është identifikuar si njëri prej pesë personave të arrestuar në lidhje me komplotin e dyshuar për vrasjen e një biznesmeni izraelit në Greqi, me urdhër të një shtetasi iranian.
Sipas raportimeve të mediave, Musliu ishte arrestuar në Greqi dhe më pas ishte transferuar te autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Po sipas këtyre raportimeve, katër nga pesë të arrestuarit dyshohet se janë shqiptarë.
Rasti ka të bëjë me një rrjet të dyshuar që, sipas Agjencisë së Sigurisë Nacionale të Maqedonisë së Veriut (ANB), kishte përgatitur logjistikën për kryerjen e një atentati ndaj një personi në Greqi, nën udhëzimet e shtetasit iranian Edris Jahangiri Mavaneh.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me shërbimin grek të inteligjencës (EYP) dhe partnerë ndërkombëtarë, ndërsa kishin nisur që në fillim të vitit 2026.
Mediat greke kanë raportuar se objektiv i dyshuar i atentatit ishte një drejtues i një kompanie izraelite që vepron në Greqi. Megjithatë, autoritetet nuk e kanë bërë publik identitetin e personit që dyshohet se ishte shënjestër.
Gjatë operacionit janë arrestuar pesë persona, ndërsa raportohet se një i dyshuar i gjashtë ndodhet ende në arrati. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar armë, municion, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me përgatitjen e atentatit.
Autoritetet maqedonase kanë përmendur gjithashtu lidhjet e dyshuara të rrjetit me Naji Sharifi Zindashtin, i cili është përmendur në raportime ndërkombëtare për lidhje të dyshuara me shërbimet iraniane dhe krimin e organizuar.
Ndërkaq, përkatësia etnike e të arrestuarve dhe identiteti i personit të dyshuar si objektiv nuk janë bërë të ditura në njoftimin zyrtar të ANB-së.