×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Rasti i kapitenit Besart Ahmeti në Prishtina Mall: Suspendohet një polic

    Reporteri
    07 Shtator 2026 | 10:35

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është suspenduar zyrtari policor i dyshuar se ka përdorur forcë ndaj një qytetari në Stacionin Policor të Graçanicës, pas incidentit të ndodhur të shtunën në parkingun e Prishtina Mall.

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në një komunikatë për media ka njoftuar ka nisur hetimet lidhur rastin, ku ishin të përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, me gradën e kapitenit, dhe dy qytetarë, njëri prej tyre i mitur.

    Sipas të dhënave të para, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ndërsa personat e përfshirë më pas janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit.

    Gjatë trajtimit të rastit janë ngritur pretendime për tejkalim të autorizimeve policore nga një zyrtar tjetër policor ndaj njërit prej qytetarëve të përfshirë.

    Sipas informacioneve fillestare të pranuara nga hetuesit e IPK-së, njëri prej personave ka pretenduar se, pas shoqërimit në polici, ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në Stacionin Policor në Graçanicë.

    Lidhur me këto pretendime, hetuesit e IPK-së kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin kompetent dhe, nën drejtimin e tij, kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin veprime hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit.

    Në kuadër të hetimeve, zyrtari policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së. Hetimet ndaj tij po zhvillohen në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

    Ndërkohë, hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë do të vazhdojnë të zhvillohen nga Policia e Kosovës, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent, në drejtim të veprës penale “Sulmi”.

    Sa i përket zyrtarit policor me gradën e kapitenit, veprimet hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së, nën dyshimin për veprën penale “Kanosja”.

    IPK ka theksuar se hetimi ndodhet në fazën fillestare dhe se të gjitha veprimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin kompetent, duke respektuar procedurat ligjore, të drejtat e të gjitha palëve të përfshira dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!