Është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë në rastin e njohur si “53 Milionshi”, ku po akuzohen Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik të tij, Nebih Shatri, si sekretar i përgjithshëm në këtë ministri, dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI. Ata ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.
Trupi gjykues që po gjykon rastin ka këtë përbërje: Violeta Namani-Hajra – kryetare, ndërsa Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli – anëtarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fjalën përfundimtare e dha fillimisht prokurori special, Admir Shala, i cili tha se katër të akuzuarit duhet të shpallen fajtorë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe t’u shqiptohet dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike.
Prokurori Shala tha se marrëveshja e re e nënshkruar për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë ndërtuese “Bechtel and Enka”, më 27 shtator 2017, për zgjatjen e afatit të punimeve, ishte pa kosto financiare të caktuar.
Sipas prokurorit Shala, Lekaj kishte nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e afatit të punimeve dhe nuk kishte prezantuar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit, “Hill International”, e cila kundërshtonte realizimin e pagesës prej 53 milionë eurosh.
Për Shatrin, ai tha se e kishte nënshkruar po ashtu marrëveshjen pa kosto financiare të caktuar, ndërsa për Tahirin tha se kishte nënshkruar kontratën, përkundër obligimit që të respektonte Ligjin e Prokurimit Publik. Për Berishën, tha se kishte marrë pjesë në negociatat për lidhjen e marrëveshjes dhe se kishte ndërhyrë në opinionin e zyrës ligjore të Ministrisë.
Prandaj, sipas Shalës, bazuar në veprimet konkrete të secilit të akuzuar, gjykata duhet t’i shpallë fajtorë sërish edhe në rigjykim.
Më pas, fjalën përfundimtare e dha mbrojtësi i Lekajt, avokati Artan Qerkini, duke thënë se në veprimet e Lekajt mungon qëllimi dhe lidhja kauzale me pasojën e pretenduar si të shkaktuar, atë të dëmit të buxhetit të vendit.
Avokati Qerkini tha se pasoja për pagesën e bërë ndaj kompanisë “Bechtel and Enka” ishte rezultat i vendimit të Qeverisë së Kosovës, për çka Lekaj, në përshkrimin e detyrave si ministër, e kishte për detyrë zbatimin e vendimeve të Qeverisë.
Më tej, Qerkini tha se nuk ka prova për ndonjë lidhje personale të Lekajt me kompaninë “Bechtel and Enka”, se ai apo familja e tij kanë përfituar financiarisht dhe se nuk ka prova që ka vepruar jashtë procedurave.
Po ashtu, Qerkini tha se ekspertiza e fundit ka fyer edhe gjykatën dhe se eksperti nuk i është përmbajtur detyrave të përcaktuara nga gjykata.
Në fund, Qerkini i propozoi gjykatës që Lekaj të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga akuza.
“Sa i përket Pal Lekajt, nuk është vërtetuar kundërligjshmëria, dashja, kauzaliteti dhe qëllimi specifik dhe, marrë parasysh këtë, kërkoj nga trupi gjykues që zoti Lekaj të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga akuza”, tha Qerkini.
Vetë Lekaj tha se i përkrah deklarimet e avokatit Qerkini dhe se nuk ka çfarë të shtojë.
Tutje, fjalën përfundimtare e dha mbrojtësi i Shatrit, avokati Florent Latifaj, ku tha se gjykata duhet të nxjerrë aktgjykim lirues dhe ta lirojë Shatrin nga një “cirk” i Prokurorisë që, sipas tij, e ka bërë me rastin e ngritjes së aktakuzës.
“Prandaj, ta lironi nga akuza e më shumë nga cirkuzi i Prokurorisë”, tha Latifaj.
Latifaj tha se në të gjitha shkresat e lëndës që kanë në posedim nuk shkruan se Shatri ka qenë pjesë e procesit te Komiteti Ndërministror dhe as pjesë e negociatave.
Sipas avokatit Latifaj, cila është lidhja logjike mes veprimit të Shatrit dhe llogaritjes së kostos së punëve shtesë, kur vetë Prokuroria ka deklaruar se kontestuese ka qenë vetëm mënyra e llogaritjes së kompensimit për zgjatjen e afatit të punimeve për përfundimin e autostradës.
Gjithashtu, edhe Shatri përkrahu deklarimet e avokatit Latifaj.
Më pas, fjalën përfundimtare e vijoi mbrojtësi i Berishës, avokati Afrim Salihu, duke pyetur se çfarë kompetencash kishte Berisha, cilat kompetenca i tejkaloi, cilin vendim e ka marrë, çfarë detyrimi financiar ka nënshkruar dhe cilën pjesë të pagesës e ka autorizuar të realizohet.
Sipas Salihut, Berisha ishte këshilltar politik dhe nuk ka ushtruar kompetenca drejtuese.
Më tej, Salihu tha se realizimi i pagesës prej 53 milionë eurosh ndaj “Bechtel and Enka” nuk ka qenë rezultat i veprimeve të Berishës, por rezultat i vendimit të Qeverisë.
Në fund, Salihu kërkoi që Berisha të lirohet nga akuza.
Vetë Berisha tha se, që nga fillimi i procesit gjyqësor, është ditur se aktakuza e Prokurorisë nuk i përmbush as standardet minimale për t’u konsideruar akt i bazuar në prova për kryerjen e veprës penale nga të akuzuarit.
Berisha tha se plotësimi i aktakuzës në fazën e rigjykimit i ngjan më shumë një teorie konspirative.
“Fatkeqësisht, edhe pas plotësimit të saj, aktakuza më shumë i ngjan shpjegimit të një teorie konspirative sesa një akti të bazuar në prova”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha shtoi se si ka mundësi që kontratën e kanë nënshkruar tre persona dhe vetëm dy kanë përfunduar në cilësinë e të akuzuarve.
Më tej, Berisha tha se si mund të besohet në pretendimin e Prokurorisë për ndërhyrjen në hartimin e opinionit ligjor te drejtori ligjor i Ministrisë së Infrastrukturës, kur nuk është raportuar asnjëherë si presion te organet përkatëse.
Lidhur me pretendimet se ka bërë presion ndaj drejtorit për hartimin e opinionit, Berisha e quajti gënjeshtër.
Krejt në fund, fjalën përfundimtare e dha edhe mbrojtësi i Tahirit, avokati Urim Vokshi, duke thënë se aktvendimi për fillimin e hetimeve për këtë çështje është marrë në vitin 2019 ndaj tre të pandehurve dhe se ky aktvendim nuk ishte marrë ndaj Tahirit.
Sipas avokatit Vokshi, kur është marrë aktvendimi për zgjatjen e afatit të punimeve, ai ka vlejtur për tre persona që kanë qenë nën hetim dhe jo edhe për Tahirin, i cili nuk ishte i hetuar me aktvendimin për fillimin e hetimeve të vitit 2019.
Prandaj, sipas avokatit Vokshi, ka qenë i pamundur zgjerimi i hetimeve ndaj Tahirit, për faktin se ai nuk ishte pjesë e aktvendimit fillestar për hetimin e të dyshuarve në këtë rast.
Për këtë pretendim, prokurori Shala tha se pretendimet e avokatit Vokshi nuk kanë mbështetje ligjore, pasi, bazuar në Kodin e Procedurës Penale, prokurori ka të drejtë t’i zgjerojë hetimet kur konstaton dyshime për një të pandehur tjetër dhe këtë mund ta bëjë gjatë hetimit. Sipas tij, askund nuk thuhet se bëhet fjalë për hetim fillestar apo hetim të zgjatur, por për një hetim të vetëm.
Më tej, avokati Vokshi tha se si ka mundësi që Prokuroria Speciale e konsideron të rëndësishme të ashtuquajturën super-ekspertizë, kur duhet të kemi parasysh se ekspertiza në fjalë përcakton se nuk vlejnë legjislacioni në Kosovë.
Kjo për faktin se Prokuroria pretendon se veprimet e të akuzuarve janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Avokati Vokshi tha se Prokuroria pretendon se, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Tahiri ka nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e afatit të punimeve pa kosto dhe se nuk është zbatuar opinioni i “Hill International”.
E që, në anën tjetër, sipas avokatit Vokshi, vetë përfaqësuesi i “Hill International”, gjatë dëshmisë së dhënë para gjykatës, ka thënë se marrëveshja nuk ka qenë e dëmshme për buxhetin e shtetit.
Në fund, avokati Vokshi kërkoi që gjykata të nxjerrë aktgjykim lirues.
I akuzuari Tahiri tha se mbështet deklarimet e avokatit Vokshi.
Më pas, gjykata caktoi të mërkurën, më 9 shtator, shpalljen e aktgjykimit.
Ndryshe, ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama kishte refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj ishte dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata kishte shpall edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Nebih Shatri ishte dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri ishte dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre ishte shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha ishte dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.
Po ashtu, ndaj Berishës ishte shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.