×
  • Lajme
  • Lajme

    Rusia: Tensionet në veri të Kosovës po rriten

    Reporteri
    15 Mars 2019 | 20:36

    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se tensionet në veri të Kosovës janë në rritje dhe se autoritetet e Kosovës po e forcojnë kontrollin përgjatë, siç u shpreh ajo, “vijës administrative” me Serbinë.

    Komentet e Zakharovas u transmetuan në një seri postimesh në Twitter, në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Jashtme Ruse.

    Duke mos ofruar asnjë dëshmi konkrete për pohimet, Zakharova tha se “forcat e sigurisë të Prishtinës po vendosen në zona afër rajoneve ku jetojnë serbët”.

    “Kriza në veri të Kosovës është rezultat i shumë viteve të llastimit të Prishtinës nga mbështetësit e saj të jashtëm: Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, tha Zakharova.

    “Uashingtoni dhe Brukseli janë të detyruar t’i frenojnë radikalët e Prishtinës, që kanë marrë krahë nga Perëndimi dhe që qëllimisht po e minojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe janë burim konflikti në rajonin e Ballkanit”, tha po ashtu Zakharova.

    Rusia e kundërshton pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.

    Kosova dhe Serbia, ndërkaq, janë nën presion ndërkombëtar për të arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!