Shkëmb Manaj ka dalë me reagim pasi u shkarkua nga pozita e nënkryetarit të Komunës nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Manaj ka thënë se “kush nuk ka raport të mirë me LDK, nuk mund të vazhdoj të ketë raport të mirë as me mua si përfaqësues politik i saj”, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se ka dhënë angazhim maksimal edhe si këshilltar i Ramës, edhe si nënkryetar.
“Po e përmbyll këtë kapitull me ndjenjën e përmbushjes për angazhimin e plotë dhe kontributin e dhënë për Kryeqytetin, tani në një dimension më të gjerë, një fazë të re për LDK-në dhe për Kosovën”, ka shkruar Manaj.
Manaj ka thënë se angazhimi i tij do të vazhdojë në “përbashkimin e madh të LDK’së”.
“Një LDK e bashkuar, nën vizionin e Kryetarit Lumir Abdixhiku dhe Presidentës znj. Vjosa Osmani, janë binomi i drejtimit të duhur për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Gjatë javëve të fundit, kam qenë i angazhuar në përbashkimin e madh të LDK-së, një proces që do ta rikthejë atë fuqishëm si forcë kryesore politike në vend. Kjo është e domosdoshme tani për tani! Të tjerat rregullohen me kohë!”, ka shkruar ai.
Emërimi i tij në pozitën e nënkryetarit kishte ardhur në një periudhë të tensioneve të forta brenda LDK-së, pasi ai ishte shndërruar në një nga figurat më të zëshme të partisë për akuzat mbi manipulimin e votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Vetëm pak javë pas zgjedhjeve, Manaj kishte akuzuar publikisht dhe brenda strukturave partiake për “skemë kriminale”, manipulim dhe shitblerje votash brenda listës zgjedhore të LDK-së, duke pretenduar se i ishte vjedhur mandati i deputetit.
Në një mesazh të dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë së LDK-së në WhatsApp, të publikuar nga Reporteri.net, ai kishte deklaruar se procesi zgjedhor ishte manipuluar, veçanërisht në votimin me postë nga diaspora.
“Është proces i manipuluar përmes skemave kriminale, në të cilin fatkeqësisht janë përfshirë edhe kolegë tanë të listës kandiduese, të cilët janë edhe anëtarë të Kryesisë Qendrore të LDK-së”, kishte shkruar Manaj.