Prokuroria Themelore në Pejë ka publikuar versionin zyrtar të institucionit lidhur me veprimet e ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, Albert Sylaj, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Në komunikatën e publikuar, Prokuroria ka dhënë detaje për kërkesën që Zekaj kishte paraqitur më 22 tetor, vlerësimin e rrezikut nga prokurori kujdestar dhe veprimet e ndërmarra para se ajo të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku humbi jetën.
Sipas Prokurorisë, më 16 tetor 2026, Gjykata kishte nxjerrë vendim me të cilin ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i Zekajt ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.
“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në ditën kur Zekaj kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit.
Prokuroria bën të ditur se prokurori i shtetit, pas vlerësimit të situatës dhe rrezikut të mundshëm, kishte konsideruar se kthimi i menjëhershëm i saj në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e saj.
Për këtë arsye, prokurori kishte kontaktuar vëllezërit e Zekajt, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.
“Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në komunikatë.
Sipas Prokurorisë, me kërkesën e vetë viktimës, prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë kishin përpiluar një shkresë zyrtare, në praninë e saj dhe të familjarëve, ku ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit.
Pas bisedimeve, Zekaj kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.
Prokuroria nuk sqaron për sa kohë do të qëndronte patrulla policore
Prokuroria njofton se po atë natë, prokurori i shtetit dhe hetuesit e rastit kishin bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë.
“Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë”, thuhet në komunikatë.
Megjithatë, në sqarimin e publikuar nuk specifikohet se për sa kohë ishte planifikuar të qëndronte patrulla policore në afërsi të shtëpisë.
Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i 22 tetorit 2026. Sipas Prokurorisë, prokurori i rastit kishte kërkuar që, përmes së njëjtës shkresë, të njoftohej edhe gjyqtari që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët.
Zekaj u kthye në shtëpi dhe u vra nga kunati
Më 25 tetor, ditën kur ndodhi vrasja, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje në shtëpinë e Zekajt.
Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe vetë viktima. Për rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa ish-bashkëshorti ishte ndaluar për 48 orë.
Gjatë trajtimit të rastit, Zekajt i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodheshin djali dhe pasuria e saj.
Pas kësaj, ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit, prokurori kujdestar ishte njoftuar se Zekaj ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, Albert Sylaj.
Pas njoftimit për rastin, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, për të përcjellë situatën dhe për të ndërmarrë veprimet fillestare hetimore.
Ndërkaq, Prokuroria ka bërë të ditur se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Zekajt, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
Policia e Kosovës ka njoftuar se po ndërmerr veprime për lokalizimin dhe arrestimin e Albert Sylajt, i cili, sipas njoftimit të mëhershëm, ende nuk ishte arrestuar.