Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një ditë më parë emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Numri dy i qeverisë “Rama 4” është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi dhe në fletëthirrje Ballukut i speficikohet që të paraqitet e shoqëruar nga avokati.
Ndërkohë sot, kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë zhvillim të ri nga Prokuroria e Posaçme duke u shprehur se “drejtësia bën punën e vet”.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë dhe drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe e mediave që i shërbejnë politikës”, ka deklaruar Rama për Deutsche Welle.
Kujtojmë se pak pas lajmit se zëvendëskryeministrja Balluku është nën hetim nga SPAK, zyrtarja e lartë e qeverisë është shfaqur në rrjete sociale duke udhëtuar me tren nga Zyrihu në Bernë të Zvicrës.
Balluku, duke injoruar raportimet rreth hetimit penal ndaj saj, në video flet për projekte dhe investime hekurudhash në Shqipëri. Megjithatë janë të shumë komentues që ia kujtojnë SPAK-un në komentet poshtë videos, shkruan gazeta online Reporteri.net
Vetë Balluku nuk ka bërë ende asnjë koment për raportimet rreth hetimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndaj saj nën dyshimet për dallavere me tenderë.
Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas raportimit është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.
Raportimet bëjnë me dije se fletëthirrja i është dorëzuar Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. /Reporteri.net/.