Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim dypalësh me presidentin francez Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Paris, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes.

Kreu i qeverisë shqiptare ndodhet në kryeqytetin francez me ftesë të Macronit, për të qenë pjesë e këtij aktiviteti ndërkombëtar, i cili këtë vit zhvillohet në një kontekst të karakterizuar nga ndryshime të mëdha gjeopolitike, zhvillime të shpejta teknologjike dhe sfida klimatike.

Në qendër të diskutimeve të forumit është rëndësia e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit.

Reklamë

Në kuadër të forumit, Rama do të marrë pjesë edhe në një sesion të posaçëm në formatin “Spotlight”, ku do të diskutojë mbi perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për brezat e rinj.

Ky diskutim merr rëndësi të veçantë në kushtet kur Shqipëria vijon negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa integrimi evropian mbetet një prej prioriteteve kryesore të politikës së jashtme të vendit.

Përveç sesionit të posaçëm, kryeministri shqiptar do të jetë pjesë edhe e seancës plenare të Forumit të Paqes në Paris, me temë “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi).

Në këtë panel do të trajtohen dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe nevoja për koordinim mes shteteve përballë sfidave që po ndryshojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.

Reklamë

Takimi me Macronin vjen në kuadër të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës, si dhe diskutimeve për çështje me interes të përbashkët, veçanërisht procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.