Nuk janë gjetur gjurmë biologjike në brendësi të automjetit që u përdor për grabitjen e 6.5 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit.


Nëse do të gjendeshin gjurmë biologjike, hetuesit do ta kishin më të lehtë zbulimin e autorëve.

Kujtojmë që sot Policia e Tiranës zhvendosi automjetin e djegur që u gjet në fshatin Dritas, duke kryer një ekspertizë. Por në përfundim të këqyrjes nuk janë gjetur shenja gishtërinjsh, fije floku apo materiale të tjera biologjike.

Reklamë

Makina me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” u përdor për të lëvizur bllokun e betonit të vendosur para derës së hyrjes së emergjencës së Aeroportit.
Ndërkohë policia po verifikon disa servise makinash për të zbuluar se ku mund të jetë modifikuar shasia e mjetit, të cilit i ishte vendosur një shinë treni, që mundësoi zhvendosjen e bllokut të betoni, shkruan shekulli.

Pjesë e hetimit janë edhe disa biznese reklamash ku mund të jetë printuar logo “Hetimi Tatimor” i ngjitur në furgon. Ndërsa po kërkohet edhe mbi vendin ku është porositur maska prej silikoni e përdorur nga Admir Murataj.

Kujtojmë që ky i fundit mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit te zjarrit me efektivët e policisë, ndërkohë që grabitësit po largoheshin nga Rinasi.

Që prej të martës, operacioni i Policisë për gjetjen e grabitësve u zhvendos mes Krujës dhe Fushë-Krujës, pas dyshimeve se ata mund të fshihen në këtë zonë.