×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Policia gjen prova të vlefshme në sulmin ndaj Top Channel, pritet t’u bëhet testi i ADN-së

    Reporteri
    27 Mars 2023 | 21:18
    Ndërtesa e televizionit Top Channel, në Tiranë

    Hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë të mëngjesit të sotëm në Top Channel po vijojnë, ndërsa janë mbledhur prova të rëndësishme në lidhje me situatën e paprecedentë.

    Ambientet e Top Channel u sulmuan me armë rreth orës 01:00 (27 mars) dhe si pasojë humbi jetën roja i subjektit, Pal Kola, 61 vjeç.

    Drejtori i Përgjithshëm i policisë Muhamed Rrumbullaku zhvilloi një mbledhje me strukturat ku u analizuan të gjitha provat nga vendi i ngjarjes si dhe nga mjeti i lënë pas nga autorët, i cili ndodhet në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku i është nënshtruar disa kontrolleve të imtësishme nga ekspertët.

    Foto: Top Channel

    Burimet thonë se janë gjetur prova të vlefshme, të cilat janë përcjellë në laboratorin shkencor dhe pritet të nxjerrin profile ADN-je dhe shenja gishtash të cilat do të verifikohen nga databasat e policisë për të zbuluar nëse mund të ketë një emër për sulmin.

    Ka persona të shumtë të shoqëruar si të dyshuar, që janë mbajtur në drejtoritë vendore e më pas janë përcjellë në policinë e Tiranës, ku i është bërë një ekzaminim për faktorë plotësues në duar për të parë nëse kanë qëlluar me armë zjarri.

    Foto: Top Channel

    Një pikë tjetër ku po fokusohen hetimet janë pamjet e kamerave të sigurisë dhe itinerari që kanë ndjekur autorët deri në “Përroin e Agait” ku braktisën mjetin dhe i vunë flakën dhe në brendësi lanë dy kallashnikovët, të cilët po ashtu po ekzaminohen nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale apo jo. /tch

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!