Policia e Tiranës ka arrestuar 55 persona dhe ka proceduar penalisht 98 të tjerë pas akteve të dhunës gjatë protestës së 14 tetorit në kryeqytetin shqiptar. Si pasojë e përplasjeve, 51 efektivë policie kanë mbetur të dëmtuar, ndërsa janë shkaktuar dëme të shumta në institucione shtetërore, biznese, automjete dhe prona publike e private.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, mes personave të proceduar penalisht janë edhe dy të mitur, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç.
“U bë arrestimi në flagrancë i 55 shtetasve, konkretisht: E. L., 18 vjeç; N. T., 23 vjeç; H. A., 18 vjeç; B. M., 20 vjeç; B. B., 22 vjeç; N. Sh., 18 vjeç; A. Th., 19 vjeç; K. B., 28 vjeç; S. F., 18 vjeç; S. A., 45 vjeçe; A. H., 18 vjeç; J. P., 29 vjeç; Z. M., 30 vjeç; F. B., 18 vjeç; Sh. M., 22 vjeç; E. B., 23 vjeç; V. A., 36 vjeç; A. M., 18 vjeç; D. L., 18 vjeç; N. Ll., 28 vjeç; K. B., 26 vjeç; L. P., 20 vjeç; E. Sh., 18 vjeç; E. K., 19 vjeç; Xh. M., 26 vjeç; Xh. M., 24 vjeç; E. T., 18 vjeç; A. T., 30 vjeç; E. L., 19 vjeç; V. Ll., 27 vjeç; A. K., 22 vjeç; A. Ç., 36 vjeç; G. Q., 18 vjeç; A. Ç., 37 vjeç; D. D., 30 vjeç; E. S., 26 vjeç; E. C., 19 vjeç; E. C., 19 vjeç; A. B., 24 vjeç; G. S., 22 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; I. M., 23 vjeç; A. A., 44 vjeç; K. O., 20 vjeç; A. A., 24 vjeç; A. N., 19 vjeç; A. Z., 28 vjeç; A. J., 18 vjeç; R. C., 19 vjeç; S. H., 20 vjeç; K. B., 24 vjeç; R. S., 21 vjeç; R. D., 18 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 15 dhe 17 vjeç”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas autoriteteve, protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit, dhe më pas u zhvendos në disa akse të tjera të Tiranës.
Gjatë tubimit, grupe protestuesish, disa prej tyre të maskuar, dyshohet se hodhën gurë, sende të forta metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.
Përveç 51 efektivëve të dëmtuar, përplasjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Në godinën e Ministrisë së Arsimit janë dëmtuar kangjellat, muret dhe dritaret, ndërsa dëme janë raportuar edhe në institucione të tjera shtetërore, banka, institucione financiare dhe biznese private.
Dëmtime janë shkaktuar gjithashtu në fasada xhami, bankomate, kamera sigurie, semaforë, tabela reklamash, sinjalistikë rrugore dhe automjete.
Një nga incidentet më të rënda, sipas Policisë, është regjistruar në Komisariatin e Policisë Nr. 2, ku disa protestues kanë hyrë në rrethimin e godinës dhe kanë goditur me sende të forta e lëndë piroteknike, duke dëmtuar xhamat e fasadës dhe portën hyrëse.
Po ashtu, një automjet i Policisë është djegur me lëndë djegëse, ndërsa tri automjete të parkuara janë dëmtuar me sende të forta.
Arrestimet dhe procedimet penale janë kryer në vijim të veprimeve hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndaj personave të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunës.
Protestat përshkallëzojnë, sulmohen institucione dhe biznese
Tirana është përfshirë prej tri ditësh nga protesta dhe përplasje të dhunshme, të cilat nisën si protesta studentore dhe më pas u përshkallëzuan në përplasje me Policinë dhe sulme ndaj institucioneve shtetërore.
Ministria e Arsimit është sulmuar për herë të dytë, ndërsa sipas raportimeve, kati i parë i godinës është djegur dhe dritaret janë thyer.
Protestuesit kanë arritur të hyjnë edhe në Ministrinë e Ekonomisë, Bashkinë e Tiranës, Kryesinë e Kuvendit, Gjykatën Kushtetuese dhe Komisariatin e Policisë Nr. 2. Gjithashtu, janë sulmuar Kryeministria dhe Banka e Shqipërisë.
Dëme janë shkaktuar edhe në biznese private dhe disa banka të nivelit të dytë.
Protestuesit i kanë paraqitur këto veprime si shprehje të revoltës kundër qeverisë aktuale, së cilës i kërkojnë largimin nga drejtimi i Shqipërisë.