Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh. Protesta ka nisur me thirrje dhe tensione.
Fasada e Ministrisë së Arsimit është lyer me ngjyrë të kuqe dhe me vezë. Ata kanë hedhur sende, tullumbace me ujë dhe kapsolla në drejtim të godinës. Deri tani nuk ka patur përplasje me policinë teksa dhjetëra efektivë ndodhen në terren. Policia gjithashtu pas nisjes së protestës ka shtuar forcat dhe efektivët.
“Ministria e krimit”, “Policia e krimit”, “Ju erdhi fundi” janë disa nga thirrjet e protestuesve.
Protestuesit gjithashtu kanë shkulur edhe kangjellat në rrugë. Protesta ka nisur në orën 14:00, teksa nuk dihet sesa do të zgjasë. Ata theksojnë se janë ngritur në protestë për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin të rinjtë në arsim.
Situata përshkallëzoi në tensione me policinë.
Kjo, pasi studentët hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të godinës institucionale. Madje hoqën kangjellat e rrugës, dhe disa prej tyre hynë me forcë në ambientet e brendshme të Ministrisë.
Kundërpërgjigjja e efektivëve ishte me ujë dhe gazlotësjellës për të shpërndarë turmën, teksa nuk munguan përplasjet fizike mes tyre. Disa prej protestuesve janë shoqëruar në komisariat.
Studentët janë mbledhur pas një thirrjeje në rrjetet sociale, ku kërkojnë zbatimin e gjashtë kërkesave të tyre që nga arsimi cilësor e deri te kushtet më të mira.
Gjatë thirrjeve të tyre studentët kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit Mirela Kumbaro, si dhe të kreut të qeverisë, Edi Rama.