×
  • Lajme
  • Lajme

    Shtëpitë e banorëve në lagjen “Vreshta” cak i hajnave

    Reporteri
    14 Prill 2019 | 13:40

    Banorët e lagjes Vreshta të kryeqytetit janë në hall me hajnat. Cak i vjedhjeve në këtë lagje janë bërë shtëpitë, e që për banorët është mjaft shqetësuese sepse përveç dëmit ata po ndihen edhe të rrezikuar për jetë.


    E për të pasur një siguri më të lartë pothuajse të gjitha shtëpitë në këtë lagje të Prishtinës janë pajisur kamera. Rasti i fundit i plaçkitjes ndodhi dy javë më parë kur familja Hasani kishin shkuar për të pushuar dhe kur ishin kthyer e kishin gjetur shtëpinë të thyer nga hajnat. E rastin në Polici e kishte lajmëruar djali i cili po qëndronte në shtëpi i vetëm.

    Zonja e shtëpisë, S.H ka treguar për KosovaPress se teksa ata po pushonin në “Banjën e Kllokotit”, në shtëpinë e tyre u kishin hyrë hajnat të cilët u kishin shkaktuar disa dëme. Ajo thotë se momentin kur e pa gjendjen e shtëpisë u tmerrua dhe iu duk sikurse ishin kthyer nga lufta. Ajo është shprehur e pakënaqur edhe me punën që po e bëjnë organet e rendit.

    Banorët e kësaj lagjeje të kryeqytetit kanë thënë se hajnat kanë kryer vjedhje edhe te shtëpitë tjera afër tyre, dhe që cak i këtyre vjedhjeve janë edhe shtëpitë e pabanuara.

    I shqetësuar për plaçkitjet që po ndodhin në lagjen e tij është shprehur edhe banori tjetër, Kadri Hasagjekaj, i cili tha se për shkak të këtyre ndodhive nuk po guxon ta lë shtëpinë vetëm.

    Ai thotë se edhe Policia patrullojnë rrallë në këtë zonë, prandaj edhe hajdutët po i rrezikojnë ata. Se vjedhje të shumta po ndodhin në lagjen “Vreshta“, e pranojnë edhe Policia e Kosovës.

    Sipas Drejtorisë Rajonale në Prishtinë vetëm në muajin mars kanë ndodhur 6 vjedhje për të cilat janë nisur edhe hetimet. Përmes emailit nga zyra për informim në këtë institucion të sigurisë kanë bërë të ditur se në tre mujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur 308 vjedhje prej tyre 200 janë cilësuar si të rënda, kurse janë arrestuar gjithsej 608 persona.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!