×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Sveçla e Haxhiu me kritika për sistemin e drejtësisë: Neglizhenca dhe tolerimi na sjellin në pikën ku jemi sot

    Reporteri
    10 Gusht 2025 | 21:40

    Qyteti i Gjilanit sot u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku tre persona u vranë si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Nga të shtënat me armë mbeten të vdekur babë e bir, argjendar të njohur në këtë qytet, të cilën u vranë në një kafene afër objektit të komunës. Pak më  vonë, vdiq edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në Spitalin e Gjilanit, duke e çuar bilancin në tre viktima, shkruan Reporteri.net.

    I dyshuari për rastin është Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, të cilët tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

    Pas këtij rasti tragjik që tronditi jo veç Gjilanin, por edhe krejt Kosovën, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu adresuan kritika në drejtim të sistemit të drejtësisë, shkruan Reporteri.net.

    Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail dhe Edonis Shkodra, kishin qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim – nga 21 qershori deri më 8 tetor 2024 – me ndërprerje të paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    “Bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë, kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim, nga data 21 qershor 2024 deri më 8 tetor 2024, me ndërprerje paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë”.

    Sipas saj, kjo periudhë shumë e shkurtër paraburgimi për vepra të rënda tregon një problem serioz në trajtimin e rasteve nga organet e drejtësisë.

    “Një qëndrim kaq i shkurtër dhe ndërprerja e paraburgimit, mund të çojë në pasoja tragjike siç pamë sot me vrasjen e trefishtë. Sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve”.

    Edhe Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, u shpreh i tronditur nga ngjarja dhe përcolli ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa kritikoi ashpër Prokurorinë dhe Gjyqësorin për, siç tha, tolerim ndaj krimeve të rënda.

    Ai theksoi se i dyshuari kryesor ishte arrestuar vitin e kaluar për fajde, por ishte lënë i lirë, duke kërkuar që institucionet të reflektojnë dhe të mos ketë më asnjë tolerim ndaj kriminelëve.

    “Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot.
    Është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale. Qytetarët duhet ta kenë shtetin garant të sigurisë dhe jo të ndihen të frikësuar”, ka shkruar Sveçla.

    Policia dhe Prokuroria e Kosovës në një konferencë për media kanë bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen e trefisht në Gjilan, Mefail Shkodra – bashkë me dy djemtë e tij, Engjull dhe Edonis Shkodra – ka një të kaluar të madhe kriminale.

    Drejtori i Policisë për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi në një konferencë për media shpalosi të kaluarën kriminale të Shkodrës, që siç tha ai varion në lloj-lloj precedentesh penale.

    “Personi i dyshuar që ka kryer veprën penale ka precedent penal. Ka raste për sulm në pesë raste, prishje e rendit dhe qetësisë publike në dy raste, fajde nëtri raste, mashtrim në një rast, kërcënim në tri raste, shantazh një rast, detyrim në dy raste. Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal një rast dhe ka kundërvajtje në komunikacion”, tregoi Rukiqi, duke thënë se Shkodra gjithsej i ka 31 raste.

    “Për të gjitha rastet janë ndërmarrë veprimet nga ana e policisë dhe janë ngrit kallëzimet penale dhe rastet janë shpërfill tutje. Ne si polici konsiderojmë që e kemi kryer punën tonë”, tha ai.

    Rukiqi, tha se për vrasjen e tre personave në Gjilan, policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet që të bëjë lokalizimin e personave të dyshuar, të cilët akoma ndodhen në arrati.

    I pyetur për detajet e këtij rasti tronditës lidhur me veprimet e të dyshuarve pas vrasjeve, ai tha se të dyshuarit në fillin kanë lëvizur këmbë:

    “Fillimisht ata kanë lëvizë në këmbë, nuk mund të japim informacione më shumë”, tha drejtori Rukiqi.

    Kurse, Prokurori i rastit, Isuf Sadiku, në konferencë tha se se është ende herët të dilet me qëndrim për motivet.

    “Ju siguroj se rasti do të trajtohet me profesionalizem dhe seriozitet nga Prokuroria Themelore në Gjilan”, tha ai.

    “Ditëve në vijim do të merren në pyetje të dëmtuarit në rast, që të shohim nëse të njëjtit na ofrojnë ndonjë sinjal që të kuptojmë motivin apo të shohim nëse rasti ka ndodhur aty për aty”, ka deklaruar Sadiku.

    Për këtë vrasje po kërkohen tre persona: Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjul Shkodra. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!