Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas konfirmimit të identitetit të tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave janë gjetur në varreza masive në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës.

Përmes një postimi, Sveçla tha se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet një nga prioritetet kryesore të shtetit të Kosovës.

“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje”, ka shkruar ai.

Reklamë

Më herët gjatë së shtunës, kryeministri Albin Kurti njoftoi se raportet e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, pas zhvarrimit të mbetjeve mortore të zbuluara në varreza masive në veri të vendit.