×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: Irrituese nëse Qeveria thotë se nuk ka zgjidhje për ikjen e të rinjve

    Reporteri
    15 Prill 2019 | 10:16

    Më datën 11 prill të këtij viti deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me ikjen masive të të rinjve nga Kosova. Megjithatë për shkak të mungesës së kuorumit ata nuk arritën as të votojnë një rezolutë në lidhje me këtë çështje. E për ikjen e të rinjve një zgjidhje urgjente nuk e ka paraparë as Qeveria e Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.


    Deklaratat e kryeministrit Haradinaj se nuk do të ketë një zgjidhje urgjente për ikjen e të rinjve nga vendi nuk i kanë pëlqyer analistit politik në vend, Ramush Tahiri.

    Ai ka thënë për “Zërin” se Qeveria duhet të ketë vizion për zhvillimin e vendit, si dhe për rritjen e punësimit, por siç ka thënë ai Qeveria po i rrit rrogat për vete dhe nuk po bën një plan zhvillimor për vendin.

    “Është frustruese për popullin nëse Qeveria thotë se nuk ka zgjidhje për ikjen dhe papunësinë, sepse secila qeveri duhet të ketë programin e vet të zhvillimit dhe duhet të ketë vizion për zhvillim, për rritjen e punësimit dhe për ndaljen e emigrimit jashtë vendit. Emigrimi është dukuri e vendeve të cilat nuk janë të zhvilluara, e vendeve që nuk i menaxhojnë resurset e veta dhe të atyre që nuk kanë plan ekonomik”, ka thënë ai, për “Zërin”.

    Tahiri ka thënë se politikat e Kosovës duhet të bazohen në shfrytëzimin e resurseve dhe të investimeve të huaja. Sipas tij, për të rritur numrin e të punësuarve në vend duhet të mbahen debate publike edhe nga deputetët, edhe nga Qeveria.

    “Ata që kanë strategji kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe i shfrytëzojnë resurset e veta natyrore dhe në këtë rast resursi i ekonomisë është njëri nga resurset kryesore për zhvillim të vendit, mirëpo te ne edhe kjo qeveri edhe ajo përpara janë të paskrupullta dhe të papërgjegjshme, me deklarime që konsiderohen edhe fyese japin atë që është e pazgjidhshme. Për të folur se si do të ndalet papunësia dhe si do të rritet punësia duhet të ketë një debat publik edhe Parlamenti, edhe Qeveria nëpër komuna, për t’i parë nevojat e secilës komunë për zhvillim dhe për investime. Politikat ekonomike duhet të bazohen në shfrytëzimin e resurseve në tërheqjen e investimeve të huaja”, ka shtuar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!