×
  • Lajme
  • Lajme

    Të huajt kur vizitojnë Prishtinën e kuptojnë se Kosova s’është si Afganistani

    Reporteri
    14 Prill 2019 | 16:05

    Ka 20 vite qëkur në Kosovë ka përfunduar lufta si dhe vendi në vitin 2008 ka shpallur Pavarësinë ku është njohur si shtet nga më shumë se 115 vende.


    Por jo të gjithë e dinë se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik. Ka të atillë që mendojnë se Kosova ende është në gjendje lufte.

    Dilema për këtë çështje ka 27-vjeçari nga Bukureshti i Rumanisë, Martin Oancea. Ky i ri  në një bisedë për Gazetën Express ka shpjeguar rreth asaj se si e sheh Kosovën.

    “Kosova nuk ka ndonjë dallim nga Afganistani apo Iraku”. Këto ishin paragjykimet e një rumuni që për herë të parë vizitoi Kosovën.

    Martin Oancea, nga Bukureshti, doktorant i shkencave politike, thotë se ka ndryshuar krejtësisht mendimi kur ka shkelur në tokën kosovare.

    Oancea që po qëndron në Prishtinë thotë se krejt paragjykimet i kishte krijuar duke dëgjuar rrëfimet e të tjerëve për Kosovën.

    Tash, thotë se e ka parë se ia vlen të punohet e jetohet në shtetin e dytë të shqiptarëve i shpallur i pavarur të dielën e tretë të muajit shkurt të vitit 2008.

    “Disa në Rumani ende mendojnë se Kosova është sikur Afganistani apo Iraku. Por përshtypjet e mia ndërruan kur unë erdha këtu. E pash që Kosova është vend i qetë dhe i sigurt për të jetuar e punuar. Më pëlqeu. Por unë kam pasur përshtypje të tjera”, thotë Oancea, në një bisedë për Express.

    Mendim të njëjtë si të rumunit ka edhe një grek. Agis Digkas, 30 vjeçar nga Athina e Greqisë i cili tha se mediat atje i ekzagjerojnë gjërat kur flitet për Kosovën dhe se e paraqesin si një zonë konflikti.“…dhe njerëzit ende mendojnë për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa kur erdha këtu e kuptova se është vend shumë i qetë dhe paqësorë”, tregon ai.

    E të dy këta të huaj u bënë bashkë në Kosovë gjatë kësaj jave ku po marrin pjesë në seminarin Ballkanik, Ballkan Youth Forum, i organizuar nga fondacioni gjerman Konrad Adenauer dhe organizata evropiane, Young European Federalists.

    Ky seminar ka mbledhur të rinjtë nga e gjithë vendet e Ballkanit për të diskutuar mbi të ardhmen e rajonit.Vajza nga Sarajeva: Kosova është rritur shumë

    Por, ndryshe Kosovën nga këta dy turist e sheh një vajzë nga një vend i cili ka qenë në luftë jo më pak se 25 vite.

    Një vajzë nga Sarajeva e Bosnje Hercegovinës, Ana Kocic, 25 vjeçare, tha se ajo ndihet shumë e lumtur që është gjendet në Prishtinë, dhe për të nuk është hera e parë që e viziton Kosovën.

    Ajo tha se ndihet shumë e kënaqur sidomos nga mikpritja që i bëhet sa herë që vjen këtu, ndërsa është e befasuar me faktin sa shpejtë po zhvillohet Kosova.“Ju nuk jeni më NEWBORN, ju jeni rritur shumë, dhe tani jeni një lloj adoleshenti” tha Koçiq me humor.

    “Rrugës në autostradë shumë rrallë kam parë flamuj të Kosovës. Unë e kuptoj këtë, sepse edhe Bosnja e ka një flamur që është vendosur nga bashkësia ndërkombëtare, por ne e respektojmë për shkak se na përfaqëson neve, ndërsa në Kosovë shumë rrallë shoh flamuj të Kosovës.” shtoi Koçiq.

    Në Kosovë ka ardhur edhe një i ri serb. Milan Jovanovic, nga Nishi i Serbisë, tha se është hera e parë që e viziton Kosovën, dhe gjëja më e mirë është që takova njerëz nga këtu.

    “Shumë njerëz para se të vij këtu më thanë që është e rrezikshme të shkosh, ndërsa kur erdha këtu jo vetëm që nuk patëm problem, por njerëzit ishin të sjellshëm, gjë që më ngrohu zemrën, ndërsa nuk më pëlqen fakti që shumë flamuj amerikan, jo që nuk më pëlqen Amerika, por Kosova tani është shtet, dhe duhet më shumë ta promovojë flamurin e tij.

    ”Damyan Dimov, 22 vjeçar nga Sofja e Bullgarisë, tha që nuk e priste të shohë këtë zhvillim të infrastrukturës, duke pasur parasysh autostradat që po ndërtohen në Kosovë. Ndërsa tha se i kishte pëlqyer ushqimi këtu në Kosovë, ndërsa tha se është e vështirë të mendoj për ndonjë gjë që nuk më pëlqen.

    Ndërsa mendime të përafërta pati edhe Nikola Donev, 19 vjeçar nga Maqedonia Veriore, tha se i pëlqen mikpritja e njerëzve të Kosovës, dhe kjo gjë duhet të promovohet më shumë.

    Organizatori dhe menaxheri i zyrës së fondacionit Konrad Adenauer, Granit Tërnava tha se qëllimi është që të rinjtë e vendeve tjera ta njohin Kosovën, dhe se Kosova nuk është ajo e titujve bombastik të mediave.

    “Target grupi i këtij seminari janë politikanët e rinjë, të cilët me gjasë janë elita politike e së ardhmes së vendeve të tyre, e shpresojmë që kurdo që kjo gjeneratë të jetë në pushtet, të jenë më të mirë kuptueshëm ndaj njëri-tjetrit”.

    E të gjithë këta të huaj  kanë qëndruar për katër ditë në Kosovë, ku kanë treguar dhe shkëmbyer përvojat e tyre me ballkanas si dhe ligjërues të tjerë nga Kosova.

    Seminari katër ditorë, Balkan Youth Forum ka filluar të enjten dhe përfundon të dielën e 14 prillit. Ky seminar ka mbledhur të rinjtë  të cilët planifikohet se do të jenë e ardhmja e politikës Ballkanike, për të diskutuar rrugën që këto vende do ta ndjekin.Shumë nga këta të rinjë kanë qenë për herë të parë në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!