Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Sh.B. për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktgjykimit të Departamentit të Përgjithshëm, Divizionit Penal, Sh.B. akuzohej se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kishte tentuar ta mashtronte A.H.-në, duke i ofruar për shitje një pronë në Prishtinë në vlerë prej 800 mijë eurosh.

Sipas gjykatës, për këtë pronë, e cila ishte nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i akuzuari kishte falsifikuar dokumentacionin përmes akteve noteriale.

Reklamë

Rasti ishte zbuluar pas verifikimit të dokumenteve nga noterja dëshmitare V.A., me ç’rast ishte konstatuar se autorizimi në emër të Sh.B.-së ishte i falsifikuar.

Si rrjedhojë, vepra e nisur nga i akuzuari kishte mbetur në tentativë.

Përveç dënimit me gjashtë vjet burgim, gjykata e ka dënuar Sh.B.-në edhe me 2 mijë euro gjobë.

Ai është obliguar gjithashtu të paguajë 200 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro për Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Gjykata ka urdhëruar edhe konfiskimin e përhershëm të dokumentit të falsifikuar.

Reklamë

Deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, Sh.B. do të mbrohet në liri.

Ndërkaq, i dëmtuari A.H. është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë përmes kontestit të rregullt juridiko-civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Reklamë