Pesë persona janë arrestuar të martën në Prishtinë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me tentimin për tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se arrestimet janë kryer në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
“Pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të autoritetit zyrtar, sot janë arrestuar pesë (5) persona”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë dyshohet se, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, “me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme”, kanë pajisur me fletë poseduese personin me inicialet M.S. për një pronë që ndodhet në Fushë Kosovë.
Bëhet fjalë për një pronë me sipërfaqe prej 2 hektarësh.
“Personi M.S ka tentuar që në bashkëpunim me persona të tjerë këtë pronë ta tjetërsojë përmes shitblerjes tek personat M.Z dhe M.Z me dokumente të falsifikuara në vlerë prej një milion e pesëqind mijë (1.500.000) eurosh”, thuhet më tej në komunikatë.
Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe nenit 31 të KPRK-së.
Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK).
Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se do të vazhdojë veprimet hetimore në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin”, thuhet në fund të njoftimit.