×
  • Lajme
  • Lajme

    Tribunali Special për gjenocidin e Serbisë në Kosovë: A do ta fitojë Kosova këtë betejë?

    Reporteri
    15 Prill 2019 | 13:32

    Kuvendi i Kosovës ka votuar pro krijimit të rezolutës, përmes të cilës do i kërkojnë Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, për themelimin e një Tribunali Special për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.


    Për krijimin e kësaj rezolute votuan të gjithë deputetët prezentë ‘pro’. Gjithsej ishin 68 vota. Kuvendi dha votat edhe për krijimin e një komisioni të veçantë për këtë shkak, ku votuan 66 deputetë ‘për’, shkruan Reporteri.net.

    Por, nga doli kjo iniciativë. Vetëm tre ditë më parë, në një Akademi përkujtimore për të rënët në Lubizhdë të Prizrenit, Kadri Veseli në fjalën e tij tha se “ka ardhë koha që të themelohet një gjykatë e tillë”.

    Më të nisur seanca, Veseli e përsëriti edhe një herë këtë gjë dhe madje paralajmëroi se çështja do të adresohet seriozisht.

    Kuvendi miraton rezolutën për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë

    Kryeparlamentari tha se “është koha të bëhet një gjë e tillë, për shkak se serbët në vazhdimësi po i mohojnë krimet që kanë bërë në Kosovë”.

    “Ideja nuk është vetëm të bëjmë rezolutë, ideja përmes kësaj rezolutë është të bëhen hapa, duhet të shkojmë në Këshill të Evropës dhe Parlament Evropian, ky Komision, duhet të krijohet një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe. Edhe kjo gjithsesi është në nderin dhe dinjitetin e këtij vendi. E keni mohimin e masakrave që po ndodh sot edhe kështu kanë me i mohu edhe mas 5 vjetë të gjitha”, ka thënë Veseli.

    Koha do ta tregojë nëse kjo ide dhe iniciativë do të mbetët vetëm në Rezolutë të Kuvendit, ashtu siç kanë mbetur në heshtje shumë rezoluta tjera, apo do të adresohet siç edhe po mendohet.

    Një iniciativë e tillë vjen gati 4 vjet pas miratimit të Gjykatës Speciale për Kosovën. Ajo tashmë ka nisur të thërras dëshmitarët dhe të dyshuarit nga radhës e UÇK-së për krime. Beteja për miratimin e Speciales kishte qenë e vështirë. Ishte bërë një rezistencë e fuqishme nga deputetet e asaj kohe. Kishin qenë vetë krerët e luftës që patën kërkuar miratimin e saj, pasi siç thoshin ajo është një e keqe e pandalshme, pasi nëse Kosova nuk e aprovon atë do ta themelojë OKB-ja.

    Në fund të vitit 2017 kishte pasur një përpjekjet të 42 deputetëve për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Kishte qenë një natë e gjatë që kishte nxitur ambasadorët e Quintit që të vraponin në Kuvend për të stopuar këtë iniciativë. LDK dhe VV kishin vendosur të dëgjonin ndërkombëtarët. Ish ambasadori amerikan, Greg Delawie kishte thënë se nëse ky proces jetësohet “do të ishte një thikë pas shpine për Amerikën”.

    Jo pak ditë më pas ishte ndaluar kjo iniciativë dhe tashmë njerëzit kanë filluar të shkojnë në Hagë.

    Reporteri.net javë më parë raportoi sipas burimeve te larta dhe mirë informuara se vetëm në muajin prill do të vijnë rreth 40 ftesa.

    EKSKLUZIVE: Rreth 40 ftesa të reja vijnë nga Haga për ish-ushtarë të UÇK-së, përfshirë edhe ish-komandantë

    Derisa lidershipi kosovar në një mënyrë ose tjetër e humbi betejën për Gjykatën Speciale për Kosovën, do të mbetet të shihet nëse do ta fitojnë betejën për Gjykatën Speciale për Serbinë, për krimet që ka bërë në Kosovë. Ndërkombëtarët për këtë ende nuk kanë folur. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!