×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Vazhdon aksioni për kontrollimin e peshës së bukës nëpër furra

    Reporteri
    04 Shtator 2026 | 16:30

    Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), po vazhdon aksionin e inspektimeve te operatorët ekonomikë që merren me prodhimin dhe shitjen e bukës në Kosovë.

    Inspektimet, të nisura më 25 gusht 2026, kanë për qëllim kontrollimin e peshës së bukës, si dhe verifikimin e afatit të vlefshmërisë së peshoreve që përdoren në furrat e bukës.

    Sipas AMK-së, kontrollet synojnë mbrojtjen e konsumatorëve nga mashtrimet dhe sigurimin që produktet të maten në mënyrë të saktë.

    Aksionet e përbashkëta të AMK-së dhe IQMT-së fillimisht janë zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, ndërsa inspektimet kanë vazhduar edhe më 1 dhe 3 shtator.

    Interesimi i furrtarëve për verifikimin e peshoreve ka qenë i lartë. Vetëm gjatë ditëve të fundit, AMK ka pranuar 60 kërkesa nga operatorët ekonomikë për verifikimin e peshoreve.

    Inspektimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa aksioni do të shtrihet edhe në komuna të tjera të Kosovës.

    AMK dhe IQMT u kanë bërë thirrje të gjithë furrtarëve që të kujdesen për verifikimin me kohë të peshoreve, të sigurojnë matje të sakta të produkteve dhe të respektojnë kërkesat ligjore.

    Sipas këtyre institucioneve, zbatimi i kërkesave ligjore synon garantimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe funksionimin e drejtë të tregut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!