Gazetari, publicisti, historiani dhe studiuesi Daut Dauti ka vdekur sot në Londër.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili ka shprehur pikëllim për ndarjen nga jeta të Dautit.

Dauti la pas një veprimtari të pasur profesionale dhe intelektuale, duke kontribuar për dekada në gazetari, publicistikë, historiografi dhe studime.

Reklamë

Karrierën në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, ndërsa më pas vazhdoi në gazetën “Zëri”, ku nga viti 1994 deri më 1999 shërbeu si korrespondent nga Londra.

Ai ishte gjithashtu gazetar dhe redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR), ndërsa gjatë viteve 2000–2002 shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës.

Përveç gazetarisë, Dauti dha kontribut të rëndësishëm edhe në publicistikë, historiografi dhe studime. Ai la pas libra, analiza dhe punime që trajtojnë Kosovën, çështjen shqiptare, mediat dhe marrëdhëniet shqiptaro-britanike.

Veprimtaria e tij profesionale, e zhvilluar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, përbën një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së gazetarisë dhe mendimit publik shqiptar.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Dauti, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën rastin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të AGK-së.

Reklamë

Daut Dauti ishte një nga emrat e njohur të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, ndërsa puna e tij profesionale dhe studimore mbetet pjesë e kontributit të tij në jetën publike dhe intelektuale.