×
  • Lajme
  • Lajme

    Versioni final i propozimit franko-gjerman iu dorëzua sot, Kurti ‘çele guri gojën’

    Autor:Linda Ibrahimaj
    06 Dhjetor 2022 | 14:12

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Kryeministri i vendit, Albin Kurti po vazhdon të qëndrojë në heshtje edhe pas deklaratës së Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se sot pala kosovare, dhe dje ajo serbe, kanë pranuar versionin final të propozimit franko-gjerman, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Borrell i cili po merr pjesë në Samitin e Bashkimin Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, pasi u prit nga Kryeministri Rama , tha para gazetarëve se palëve u është dërguar “teksti i propozimit të fundit” në tavolinë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve.

    “Teksti i fundit u është drejtuar dje Beogradit, dhe sot Prishtinës. Janë ata që duhet të nisin bisedime, bisedime serioze sepse është koha ku ka një mundësi të madhe”, tha Borrell.

    Kreu i Qeverisë mëngjesin e së martës priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Lajçak bëri të ditur se një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq pritet të realizohet brenda disa javëve.

    “Fatmirësisht që nga 23 nëntori nuk kemi më afate dhe kriza dhe mund të diskutojmë për substancën. Për këtë arsye jam këtu. Për të kthyer këto diskutime në normalizim të marrëdhënieve dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm në procesin e bazuar në dokumentin që e prezantova këtu. Ne duam ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe duam që takimi i nivelit të lartë të realizohet brenda disa javëve”, tha Lajçak para mediave.

    Por, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i “pa zë” po del të jetë edhe pas këtij takimi me Lajçak, pasi ai nuk doli t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në oborrin e Qeverisë.

    Javën e kaluar, gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha se dokumentin e propozimit franko-gjerman e ka konsideruar bazë të mirë për të diskutuar mbi të, dhe se nuk i ka pëlqyer gjithçka aty.

    “Propozimi i BE-së me mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe ShBA-së nuk është merre ose leje, e kam konsideruar bazë të mirë për të diskutuar mbi të, por nuk është merre ose leje. Nuk më pëlqen mua gjithçka aty, ka shumëçka që duhet të diskutohet, ama ajo që nuk e kam pranuar asnjëherë gjatë këtij procesi me Serbinë është që nga 33 marrëveshjet e kaluara në Bruksel gjatë asaj dekade ta përzgjedhin si një tryezë suedeze pikërisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dhe në anën tjetër nga çfarëdo propozimi që bëhet në të ardhmen asgjë tjetër nuk ka rëndësi si Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ky lloj përzgjedhje e dyfishtë nuk është e pranueshme nga ana ime”, pati thënë shefi i Qeverisë.

    Ndryshe, Lajçak e as Borrell nuk folën për afate të pyetur sot për marsin e vitit 2023 si afat për një marrëveshje të mundshme, datë kjo e përmendur disa herë nga kryeministri Kurti javëve të fundit.

    Kryediplomati evropian Josep Borrell tha se nuk vendosin “afate përfundimtare”, teksa edhe Lajçak tha se nuk është “njeri i afateve”.

    “Jam shumë optimist. Nuk duhet të vendosim afate artificiale. Është koha që të nisim të punojmë. Nuk është e rëndësishme të caktojmë një datë, por të punojmë me shpejtësi. Është koha për të punuar”, tha Borrell.

    Lajçak bëri të ditur se brenda disa javëve do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq.

    “Procesi i normalizimit do të nisë brenda disa javëve. Momentumi tani është i drejtë por nuk do të jetë përgjithmonë. Nuk duam të vonohemi. Nuk jam njeri që jap afate, por ta shohim se çka do të ndodhë”, u shpreh Lajçak. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!