×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasjet në Kosovë fenomen shqetësues, vetëm këtë vit u vranë 19 persona

    Reporteri
    09 Dhjetor 2021 | 12:00

    Një vrasje e trefishtë ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit. Autoritetet në Kosovë kanë ripërsëritur se kanë disa pista dhe hetimi po vazhdon. Megjithatë, deri sot nuk ka asnjë të dyshuar dhe asnjë informacion të ri që çon drejt zbardhjes së rastit. Vrasjet në Kosovë, viteve të fundit vazhdojnë të jenë fenomen shqetësues për shoqërinë. Një prej arsyeve që po çon drejt vrasjeve, është edhe mbajtja e armëve ilegale.

    Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, tha se vrasjen në Gllogjan po e trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend, dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve në organet e drejtësisë.

    Prej vitit 2016, siç ka parë Reporteri.net në të dhënat e marra nga Policia e Kosovës, kanë ndodhur 154 vrasje, përfshirë këtu edhe të rënda.

    Vetëm gjatë vitit 2021 ndodhën 7 vrasje, që sipas nenit 172 cilësohen vrasje, dhe 12 vrasje të rënda sipas nenit 173.

    “Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë shqetësues dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë”, thotë Policia në përgjigjen e saj.

    Policia pohon se disa raste të vrasjeve janë me kryerës të njohur për drejtësinë, por disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po vazhdon t’i trajtojë ato.

    Të dhëna shqetësuese për vrasjet në Kosovë

    Prej vitit 2016 në Kosovë kanë ndodhur 154 vrasje. Në vitin 2016 qenë 30 vrasje – 14 vrasje dhe 16 vrasje të rënda. Më 2017 pati 24 vrasje të rënda. Në vitin 2018 u kryen 34 vrasje – 22 vrasje dhe 12 të cilësuara të rënda. Në vitin 2019 u kryen 20 vrasje – 8 u cilësuan vetëm vrasje dhe 12 të rënda. Në vitin 2020 u kryen 27 vrasje – 12 të cilësuara vrasje dhe 15 të rënda.

    Në vitin 2021, që jemi në mbarim të tij, ndodhën 19 vrasje – 7 prej tyre u cilësuan vrasje dhe 12 tjera të cilësuara si vrasje të rënda.

    “Ne në vazhdimësi kemi ndërmarrë veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijsim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të çojnë tek kryerja e akteve të tilla”, njofton tutje Policia në përgjigjen për Reporteri.net.

    Vrasja në Deçan – tronditëse

    Për vrasjen e trefishtë në Deçan ende po hetohet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmet, ditë më parë në një konferencë për media tha se ende nuk kanë një motiv lidhur me sulmin me armë zjarri ndaj një autobusi, me ç’rast u vranë shoferi dhe dy nxënës. Ndërkaq, edhe një nxënës mbeti i plagosur.

    “Aktualisht mund të flasim për një sistem të dytë, përkatësisht tri pistave të mundshme të hetimit dhe të gjitha informacionet që jemi duke i mbledhur, por edhe provat materiale nga vendi i ngjarjes çojnë në këtë drejtim. Po flasim për një person, por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë, që nënkupton se mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Në kuptimin e qarkullimit të personit, janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme, të cilat do të na tregojnë saktë se prej nga ka ardhur, ku ka qëndruar dhe nga ka shkuar”, tha Mehmeti.

    Sipas Policisë, vrasjet dyshohen se u kryen me armë zjarri të llojit AK-47.

    Kjo vrasje tronditi qytetarët madje edhe institucionet, të cilat kanë bërë thirrje që dorasi të vihet sa më parë para drejtësisë.

    Ultimatum vrasësit

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi ndodhi vrasje, i bëri ultimatum dorasit që të dorëzohet dhe ftoi qytetarët, që kanë informacione, t’iu drejtohen organeve të rendit.

    “Unë i bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet sepse për çdo ditë ai rëndon të tjerët. E dimë shumë mirë që kushdo që ndihmon vrasësit implikohet në vepër të rëndë penale”, ishte shprehur Sveçla.

    Konfiskimi i armëve ilegale – Faktor i parandalimit të vrasjeve

    Policia e Kosovës, në përgjigjen për Reporteri.net, tha se për të parandaluar vrasjet ka ndërmarrë disa operacione, përfshirë këtu, edhe konfiskimin e armëve ilegale.

    Viti 2018 qe viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Atë vit u kryen 34 vrasje.

    Nga Policia e Kosovës thonë se në tre vjetët e fundit kanë konfiskuar mbi 3,400 armë të llojeve të ndryshme, kryesisht ilegale.

    Nga një hulumtim që ishte kryer në vitin 2015, në Kosovë janë reth 250,000 armë ilegale që i posedojnë qytetarët.

    Reporteri.net nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme për të kuptuar se sa të tilla janë aktualisht./Gazeta Reporteri/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!