×
  • Lajme
  • Lajme

    Tre të vrarë, krejt çka dihet deri më tani nga tragjedia në Gllogjan

    Reporteri
    27 Nëntor 2021 | 8:19

    Tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit.

    Të shtënat kanë ndodhur të premten, në orët e mbrëmjes.

    Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist.

    Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.

    Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti, ka konfirmuar se një person i plagosur në incident ndodhet në këtë spital dhe se gjendja e tij është stabile.

    Në vend të ngjarjes, përveç policisë, ka dalë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

    Ai ka thënë se në mesin e tre të vrarëve janë dy nxënës shkolle dhe shoferi i autobusit.

    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.

    Autobusi ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.

    Nuk është ende e qartë nëse autobusi ka qenë cak i të shtënave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!