×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria jep 20 mijë euro shpërblim për ata që kanë informacione për autorin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

    Reporteri
    28 Nëntor 2021 | 13:58

    Qeveria e Kosovës ofron 20 mijë euro shpërblim për personin që jep informacione për autorin apo autorët e vrasjes së trefishtë në Deçan.

    Ndonëse i dyshuari apo të dyshuarit e vrasjes së shoferit të autobusit dhe dy nxënësve ndodhen akoma në arrati, Qeveria njofton ta shpërblejë me 20 mijë euro atë person që jep informacione për sjelljen e të dyshuarve para drejtësisë.

    “Si Kryeministër, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpiejnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

    Njoftimi i plotë i Qeverisë:

    Lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë të premten mbrëma në Gllogjan, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saj relevante është angazhuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti.

    Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

    Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejtë ​të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

    Si Kryeministër, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpiejnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

    Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192, dhe
    e-mail: info@kosovopolice.com
    Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!