×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / Reagimi

    Paraqitja e Kurtit në Gjykatë, zëdhënësi i Qeverisë: Hetuesit e intervistuan në zyrën e tij në qershor për rastin e kanosjes

    Reporteri
    03 Shtator 2025 | 11:52

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u kritikua pasi u paraqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin në të cilin ish-udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, akuzohet për kanosje ndaj tij.

    Kurti u paraqit në Gjykatë, ndërsa pati reagime të shumta për faktin se ai po refuzon të dëshmojë në Prokurori për rastin e rezervave shtetërore.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një reagim ka thënë se paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.

    Kryeziu ka përsëritur se në rastin e rezervave shtetërore, Kurti kishte shprehur gatishmëri që të intervistohet në zyrën e tij. Ai ka bërë të ditur se në rastin e kanosjes, Kurti është intervistuar nga zyrtarë hetues të autorizuar nga Prokuroria, pikërisht në zyrën e tij. Kryziu ka bërë të ditur se intervistimi ka ndodhur më 10 qershor.

    Paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.
    Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë.
    Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar.

    Gazetarët e sfiduan sot Kurtin duke e pyetur nëse do të shkojë të dëshmojë edhe për rastin e rezervave shtetërore meqë mori pjesë në këtë seancë. Siç pritej, Kurti s’iu përgjigj kësaj pyetje.

    Ai ka refuzuar të shkojë në Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore me arsyetimin se po synohet të prodhohet “lajm botëror” me shkuarjen e tij në prokurori si i përfshirë në korrupsion.

    Kurti s’ka zbatuar as vendimin e gjykatës, e cila e ka urdhëruar atë t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!