×
  • Lajme
  • Raporto
  • Nacionalet 2025 / E FUNDIT

    Gjykata ua cakton masën paraqitje në stacion policor 22 personave të dyshuar për falsifikim të rezultatit zgjedhor

    Reporteri
    07 Shkurt 2026 | 10:17

    Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar masën e sigurisë 22 të dyshuarve për falsifikim të rezultateve të votimit nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Atyre u është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.

    Gjykata ka mbajtur tri seanca të ndara dëgjimore mbrëmjen e së premtes dhe aty ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore për caktim të paraburgimit.

    Në kërkesën e Prokurorisë thuhej se 22 të dyshuarit në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Me këtë vendim, të pandehurit do të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.

    Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!