Gjykata Supreme ua ka ndërprerë masën e paraburgimit nëntë të dyshuarve për falsifikim të rezultateve të votimit në Prizren. Në mesin e të të liruarve është edhe Art Hasani, djali i deputetit të PDK’së, Nait Hasanit, i cili ishte arrestuar në një aksion të Prokurorisë së Prizrenit më 23 janar, shkruan Reporteri.net.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Supremja ka bërë me dije se ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve në çështjen penale ndaj B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., dhe I.P., duke ndryshuar vendimet e shkallëve më të ulëta dhe duke ndërprerë masën e paraburgimit për të gjithë të pandehurit.
“Të njëjtit janë liruar menjëherë për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në njoftim.
Vendimi i Supremes vjen pas shqyrtimit të kërkesave të ushtruara kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe atij të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të cilat kishin caktuar dhe vërtetuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
“Po ashtu, Gjykata Supreme, me aktgjykimin Pml.nr.95/2026, ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit H.P., duke ia ndërprerë masën e paraburgimit, për veprën penale falsifikimi i rezultatit të votimit, dhe duke e liruar të njëjtin për t’u mbrojtur në liri.
Gjykata Supreme, vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për ndërprerjen e masës së paraburgimit, duke garantuar respektimin e parimit të ligjshmërisë dhe të drejtave procedurale të të pandehurve”, thuhet në njoftim./Reporteri.net