×
  • Lajme
  • Raporto
  • Nacionalet 2025 / Si të dyshuar

    Manipulimi me vota, Prokuroria urdhëron intervistimin e kryesuesve në Ferizaj dhe Han të Elezit dhe komisionerëve në Shtime

    Reporteri
    06 Shkurt 2026 | 16:12

    Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulime me vota për komunat që janë në kompetencë të kësaj prokurorie.

    Sipas njoftimit, Prokuroria ka autorizuar Policinë që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit për Komunën e Ferizajt dhe Hanit të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve në Shtime, shkruan Reporteri.net.

    Sa i përket komunës së Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.

    Në njoftim thuhet se në Ferizaj në bazë të raporteve të pranuara, e cila përfshin 153 vendvotime, keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në një përqindje të ulët, konkretisht prej 153 vendvotimeve- vetëm një kandidat në të gjitha qendrat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa, për kandidatët e tjetër rezulton nga një deri në tre vota.

    Në komunën e Hanit të Elezit, sipas Prokurorisë, përqindja e manipulimeve është gjithashtu e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.

    Ndërkohë, tek Komuna e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra të votimeve dhe ka rezultuar me një përqindje pak më të lartë, ku rezulton një numër pak më i madh i shtimit të votave për tre kandidatë prej dhjetë deri në 45 vota.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër që kërkon veprime tjera hetimore shtesë.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, mbetet e angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me qëllim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!