Zgjedhjet parlamentare që mbahen të dielën në Berlin dhe Mecklenburg-Vorpommern po shihen si një test i rëndësishëm për kancelarin gjerman Friedrich Merz, ndërsa rezultatet e dobëta të CDU-së në sondazhe kanë nxitur spekulime në Gjermani edhe për pasues të mundshëm të tij.
Situata është veçanërisht e vështirë për CDU-në në Mecklenburg-Vorpommern, ku partia e Merzit ka vetëm 6 për qind mbështetje sipas sondazheve, vetëm një pikë përqindjeje mbi pragun zgjedhor prej 5 për qind.
Në këtë land, SPD dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD) janë në një garë shumë të ngushtë. SPD raportohet se ka 37 për qind mbështetje, ndërsa AfD 36 për qind.
Situata nuk është shumë më e favorshme për CDU-në as në Berlin. Sipas sondazheve të cituara, E Majta kryeson me 22 për qind, CDU renditet pas saj me 20 për qind, ndërsa AfD ka 18 për qind. Të Gjelbrit janë në 15 për qind dhe SPD në 12 për qind.
Rezultatet e pritshme e bëjnë më të vështirë krijimin e koalicioneve dypartiake, duke rritur mundësinë që për formimin e qeverive në këto lande të nevojiten koalicione me tri parti.
Përmenden pasuesit e Merzit
Rezultatet e dobëta të CDU-së dhe humbjet e fundit elektorale kanë shtuar presionin ndaj kancelarit Merz. Në mediat gjermane kanë nisur të qarkullojnë edhe emra të politikanëve që potencialisht mund ta pasonin atë në rast të një ndryshimi në krye të qeverisë.
Ndër emrat që përmenden janë kryeministri i Bavarisë dhe lideri i CSU-së, Markus Söder, si dhe kryeministri i Nordrhein-Westfalenit, Hendrik Wüst, nga CDU. Burime të tjera përmendin gjithashtu kryeministrin e Hessenit, Boris Rhein, dhe ministrin e Brendshëm, Alexander Dobrindt.
Megjithatë, aktualisht nuk ka ndonjë vendim për ndryshimin e kancelarit. Merz ka deklaruar se synon të vazhdojë në detyrë dhe, pas rezultatit të dobët të CDU-së në zgjedhjet në Sachsen-Anhalt, ka thënë se dorëheqja nuk është opsion për të.
Zgjedhjet e së dielës po marrin rëndësi edhe për shkak të forcimit të AfD-së. Partitë e tjera kryesore gjermane vazhdojnë të përjashtojnë bashkëpunimin me të, gjë që mund ta komplikojë formimin e shumicave qeverisëse edhe në rast të rezultateve të larta të kësaj partie.
Për këtë arsye, votimet në Berlin dhe Mecklenburg-Vorpommern pritet të ndiqen jo vetëm për përcaktimin e qeverive lokale, por edhe për ndikimin që rezultatet mund të kenë në pozicionin politik të kancelarit Merz dhe në raportet e forcave brenda CDU/CSU-së.