Policia e Kosovës është vënë në kërkim të reperit shqiptar, Rigels Rajku, i njohur me nofkën Noizy, për një rrahje që ndodhi para disa ditësh në një diskotekë në qytetin e Pejës.
Policia i ka lënë ftesën për Noizyn që të paraqitet në stacion policorë, por i njëjti nuk është paraqitur.
Ndërsa policia po e kërkon, diskoteka ‘Stop’ në Gjilan ka njoftuar se Noizy sonte (e hënë) do të mbajë një koncert aty, shkruan Reporteri.net.
Mbetet të shihet nëse do të këndojë sonte Noizy në këtë diskotekë, siç bëri para para dy netësh në diskotekën “Venom” në Prishtinë ku performoi edhe pse ishte në kërkim nga Policia e Kosovës.
Në një video që ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net shihet se Noizy, megjithatë, ka performuar në diskotekën “Venom” në Prishtinë, edhe pse kjo e fundit kishte dalë me një njoftim për anulim të koncertit.
Operacioni për kërkimin e Noizyt është duke u realizuar me urdhër të Prokurorisë në Pejë.
Se Noizy është në kërkim nga Policia e Kosovës, e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i cili ka thënë se reperi shqiptar nuk është paraqitur në stacionin policor përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij, andaj i ka bërë atij dhe të dyshuarve të tjerë të paraqiten në stacionin e policisë.
Nikqi ka thënë se të gjithë qytetarët që janë në dijeni të japin informacione mbi vendndodhjen e të dyshuarve.
“Nuk është paraqitur përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij se do të paraqitet, nuk është paraqitur në stacionin policor për intervistim dhe për këtë çështje i bëjmë apel këngëtarit (Noizy) dhe gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale që të paraqiten tek organet hetuese. Përndryshe kërkojmë edhe ndihmën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe ju garantojmë që emri i tyre do të jetë konfidencial nëve na duhen vetëm informata”, tha Nikçi për Reporteri.net.
Kujtojmë se Noizy ka mohuar se ka qenë i përfshirë në rrahje. Ai përmes një postimi në Instagram ka thënë se në momentin që kishte shpërthyer përleshja, sigurimi e kishte shoqëruar jashtë dhe se nuk e kishte goditur për asnjë çast personazhin e tik-tokut.
“Prandaj dhe në video nuk dukem unë, sepse unë nuk kam qen aty në atë moment”, ka shkruar ndër të tjera reperi Noizy. /Reporteri.net/.