Këngëtarja Dafina Zeqiri ka reaguar ashpër pas vrasjes së Arlinda Zekës, duke kritikuar dështimin e institucioneve për të mbrojtur gratë që përballen me dhunë dhe kërkojnë ndihmë.
Përmes një postimi në rrjetin social Threads, Zeqiri i është drejtuar viktimës me një mesazh prekës, duke theksuar se sistemi ka dështuar sërish në mbrojtjen e jetës së një gruaje.
“E dashur Arlinda, sistemi ka dështu edhe niherë”, ka shkruar këngëtarja, duke e shoqëruar mesazhin me një emoji të zemrës së thyer.
Në reagimin e saj, ajo ka ngritur pyetje për vazhdimësinë e rasteve të dhunës ndaj grave, përfshirë dhunën brenda shtëpive dhe nga personat e afërt.
“Sa gra duhet me përjetu dhunë n’shpinë e tyne, prej burrave apo familjarëve, deri kur?!”, ka shkruar Zeqiri.
Ajo ka vënë në pah edhe shqetësimin për rastet kur gratë u drejtohen institucioneve, raportojnë dhunën dhe paralajmërojnë se ndihen të rrezikuara, por megjithatë nuk arrijnë të mbrohen.
“Kur ni grua lajmëron policinë, kërkon ndihmë, tregon që osht n’rrezik e që ka frikë për jetën e vet, qysh osht e mundun që prapë nuk arrijmë me e shpëtu?!”, ka shkruar ajo.
Këngëtarja u ka bërë thirrje institucioneve që ta marrin seriozisht përgjegjësinë për mbrojtjen e qytetarëve dhe të mos lejojnë që gratë që kërkojnë ndihmë të mbeten të pambrojtura.
“Ju jeni ata që duhet me na mbrojtë, me na shpëtu jetën, jo me na lanë n’dorë t’atyne që na rrezikojnë”, ka theksuar Zeqiri.
Ajo e ka përsëritur pyetjen që shpreh revoltën e saj ndaj rasteve të përsëritura të dhunës ndaj grave dhe mënyrës se si trajtohen thirrjet e tyre për ndihmë.
“SA GRA DUHET ME VDEKË, deri sa me fillu me i marrë seriozisht thirrjet e tyne për ndihmë?!”, ka përfunduar këngëtarja.
