×
  • Sport
  • Sport

    Agim Ademi përleshet fizikisht me referin e pakënaqur të Federatës

    Reporteri
    12 Prill 2019 | 17:26

    Tensione sot kishte në Federatën e Futbollit të Kosovës. Në korridoret e saj ka ndodhur një incident ku ishin përfshirë kryetari Agim Ademi dhe gjyqtari Bajram Gashi.


    Diçka e pazakontë ka ndodhur sot në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

    Një gjyqtar i futbollit, i pakënaqur me faktin që nuk po delegohet qe një kohë të gjatë për referim në kampionat, ka shkuar në FFK për të folur me kryetarin Agim Ademi, me ç‘rast ka ndodhur edhe një konfrontim fizik. Fjala është për referin Bajram Gashi.

    Por, zyrtarët tjerë të FFK-së, në korridoret e shtëpisë së futbollit, kanë ndërhy për ta parandaluar eskalimin e mëtejmë të situatës, raporton Gazeta Express

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe vet gjyqtari Bajram Gashi, i cili nuk deshi të deklarohet, me arsyetimin se ia ndalojnë rregulloret e FFK-së prononcimin për media. Por, la të nënkuptohet se do të angazhojë avokat për të ngritur padi private ndaj kryetarit Agim Ademi e po ashtu ankesë edhe në UEFA e FIFA për mosdelegim.

    Por, kjo është mohuar nga kryetari Agim Ademi. “Nuk është e vërtetë, nuk ka pasur kurrfarë zënke. Mund të ketë palë të pakënaqura, por janë Komisionet përgjegjëse që merren me këtë punë. Unë nuk kam pasur kurrfarë konflikti me askënd sot”, tha Ademi për Gazetën Express.

    Bajram Gashi është një gjyqtar mjaft i njohur në Kosovë, por hovin e tij e kishte ndalur një dënim që ia kishte shqiptuar qysh në prill të vitit 2017 FFK-ja me një vit mosdelegim, dënim ai që pastaj iu kishte reduktuar dukshëm. Kjo kishte ndodhur pas daljes në publik të një video-incizimi që kishte të bënte me dyshime të forta për kurdisje, e ku Gashi ishte një protagonist.

    Ademi prejse ka ardhur në postin e kryetarit po kërkon reformim në referim. Madje, ua ka rritur pagesat në 100 për qind, por ka paralajmëruar edhe zero tolerancë ndaj lëshimeve të tyre. /express/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!