×
  • Sport
  • Sport

    Ajax i dedikon titullin e 34-të këtij futbollisti

    Reporteri
    16 Maj 2019 | 20:02

    Titulli i fituar këtë vit nga Ajax ka marrë edhe më shumë vlera për faktin se klubi nga Amsterdami ia ka dedikuar Appie Nouri-t, futbollistit të cilit ende nuk i dihet saktësisht gjendja shëndetësore.


    Në korrik të 2017, në një ndeshje përgatitore Ajax-Werder Bremen për sezonin që do të vinte më pas, Nouri humbi ndjenjat në fushë dhe pas ndihmës së shpejti përfundoi në spital. Në atë kohë u raportua se Appie, i cili ka luajtur në akademinë e Ajax-it që 9 vjeç, kishte pësuar dëmtime serioze në tru, shkruan shqiptarja.com.

    Vëllai i Nouri-t, Abderrahim, një vit më parë konfirmoi se ka patur një përmirësim të vogël të futbollistit, por realiteti është se ai kurrë nuk do të luaj më futboll prej asaj dite.

    Sipas shokut të skuadrës te Ajax Donny van De Beek, Nouri kishte kërkuar të mbante në fanellë numrin 34 pasi dëshironte që me Ajax të fitonte kampionatin numër 34.

    Fatkeqësisht ai kurrë nuk mundi të ishte pjesë e kësaj skuadre si pasojë e incidentit tragjik, por futbollistët e Ajax-it pasi siguruan titullin numër 34 falë fitores 4-1 kundër De Graafschap, vendosën t’ia dedikonin atij.

    “Nouri gjithmonë ka qenë këtu. Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur,”-shprehet fillimisht trajneri i Ajax Ten Hag për ‘Fox Sports’, ndërsa më pas shton: “Djemtë kanë qenë si një familje për të ndaj kjo iu dhemb jashtëzakonisht shumë.”

    Ekipi i Ajax mbajti fanellën me numër 34 në nder të Nouri-t gjatë ndeshjes mbremjen e kaluar, ndërkohë që babai i futbollistit mbajti një fjalim emocionues gjatë festimit të titullit sot në Amsterdam.

    Për Nouri-n pas fitimit të titullit Daley Blind ka deklaruar: “Mendoj se është diçka e bukur për të dhe familjen e tij. Është emocionuese. Shumica e djemve kanë luajtur mjaft ndeshje me të. Bukur që ne mundëm të fitonin titullin numër 34 në nder të tij. Është diçka ekstra.”

    Shumë që kanë luajtur me të e kanë kujtuar gjatë sezonit pavarësisht klubit ku kanë qenë duke luajtur. Philippe Sandler, i cili ka kaluar shumë vite në akademitë e Ajax-it me Nouri-n, pyeti menjëherë te Manchester City nëse mund të mbante numrin 34 në nder të tij.

    Justin Kluivert te Roma, Amin Younes te Napoli dhe Kevin Dijks te Fiorentina kanë bërë gjeste në nder të Nouri-t gjithashtu. Për t’u veçuar veprimi i Kluivert te Roma i cili golin e parë të shënuar në Champions League e festoi duke nderuar futbollistin, gjendja e të cilit mbetet enigmatike për publikun.

    Ajax ka vendosur ta nderojë Nouri-n edhe në dyqanin më të madh të klubit që ndodhet në stadiumin Johan Cruyff Arena, ndërkohë që çmimit ‘Lojtari më i mirë i ri i vitit’ i ka vendosur emrin e tij. Gjithashtu ky çmim është ridizenjuar sipas mënyrës që Nouri festonte golat.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!