×
  • Sport
  • Raporto
  • Sport

    Donald Trump i pranishëm në finalen e Botërorit

    Reporteri
    19 Korrik 2026 | 21:49

    Donald Trump është i pranishëm në finalen e Kupës së Botës që po zhvillohet këtë të diel në stadiumin “New York New Jersey Stadium”.

    Trump mbërriti në stadium me helikopterin presidencial Marine One, i cili fluturoi mbi stadium rreth 45 minuta para fillimit të ndeshjes.

    Fluturimi i helikopterit nuk shkaktoi ndonjë reagim të veçantë nga tifozët, ndërsa Marine One u ul pranë stadiumit pak minuta më vonë.

    Pak para nisjes së finales, presidenti amerikan u ul në një lozhë luksoze me xhama në anën perëndimore të stadiumit, së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

    Në afërsi të tyre ishin ulur edhe personalitete të tjera dhe ish-futbollistë, mes tyre Mbreti i Spanjës Felipe VI, kryeministri i Kanadasë Mark Carney dhe presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum.

    Trump ka marrë pjesë në disa ngjarje të mëdha sportive që nga rizgjedhja e tij. Vitin e kaluar ai ishte i pranishëm në Super Bowl, US Open në tenis, garën Daytona 500 dhe Ryder Cup në golf.

    Gjatë këtij viti ai ka ndjekur disa turne golfi, finalen e kampionatit universitar të futbollit amerikan dhe ndeshjen e tretë të finales së NBA-së, ku u prit me fishkëllima nga tifozët e New York Knicks.

    Ndoshta duke pasur parasysh atë reagim, organizatorët vendosën të mos e shfaqnin Trumpin në ekranet gjigante të stadiumit para fillimit të ndeshjes.

    Kjo ishte hera e parë që Trump ndoqi një ndeshje të Kupës së Botës 2026, turne që organizohet nga SHBA-ja së bashku me Kanadanë dhe Meksikën.

    Ai ishte gjithashtu i planifikuar t’ia dorëzonte trofeun fituesit të finales mes Spanjës dhe Argjentinës. Në momentet e para të ndeshjes, Trump u pa duke prekur trofeun nga vendi ku ishte ulur.

    Në finalen e Kupës së Botës 2022, emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, së bashku me Gianni Infantinon, ia dorëzuan trofeun Lionel Messit dhe bashkëlojtarëve të tij te Argjentina.

    Ndërsa në vitin 2018, presidenti rus Vladimir Putin ia dorëzoi trofeun Kylian Mbappesë dhe kombëtares së Francës pas triumfit në Kupën e Botës në Rusi.

    Trump është presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që ndjek nga stadiumi një finale të Kupës së Botës të zhvilluar në territorin amerikan.

    Kur SHBA organizoi Kupën e Botës në vitin 1994, presidenti i atëhershëm Bill Clinton nuk ishte i pranishëm në finale. Trofeun atëherë e dorëzoi zëvendëspresidenti i tij, Al Gore.

    Trump ishte gjithashtu në qendër të vëmendjes në finalen e Kupës së Botës për Klube verën e kaluar, në të njëjtin stadium në East Rutherford, New Jersey, ku ia dorëzoi trofeun Chelseat dhe u prit me fishkëllima të forta nga publiku.

    Presidenti amerikan gëzon një marrëdhënie të afërt me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Madje, ai e kishte telefonuar Infantinon për të kërkuar rishikimin e pezullimit me karton të kuq të sulmuesit të SHBA-së, Folarin Balogun, para ndeshjes së 1/8 së finales.

    FIFA e anuloi më pas pezullimin e Balogun, por kjo ndërhyrje politike krijoi polemika rreth kombëtares amerikane, e cila më pas u eliminua nga Belgjika./GazetaExpress/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!