Berat Gjimshiti e ka mbyllur vitin 2025 me zhgënjim. Mbrojtësi gaboi një pasim në ndeshjen ndaj Interit, që solli dhe humbjen minimale të Atalantës.
Futbollisti i Kombëtares Shqiptare ka reaguar në rrjetet sociale, ku ka kërkuar ndjesë ndaj shokëve të skuadrës dhe tifozëve për pasimin e gabuar që ndryshoi rrjedhën e takimit.
“Më vjen keq për shokët e mi të ekipit dhe tifozët për atë gabim që ndryshoi ndeshjen. Forca Atalanta gjithmonë”, shkruan Gjimshiti.
Pasimi në drejtim të Kolasinac u ndërpre nga presingu i Pio Espositos dhe u shndërrua në asist të pavullnetshëm për golin e Lautaro Martinez. Goli rezultoi vendimtar për fitoren e Interit.
Nuk është hera e parë që Gjimshiti përfshihet në episode të pafavorshme kundër zikaltërve. Më 30 gusht 2024, në javën e tretë të Serie A 2024/25, ai shkaktoi një autogol pas devijimit të një goditjeje të Thuram. Ai episod hapi rrugën për fitoren 4-0 të skuadrës së drejtuar nga Simone Inzaghi.
Megjithatë, kontributi i Gjimshitit ndaj Interit nuk ka qenë vetëm negativ. Ai ka shënuar edhe në fitoren e fundit të Atalantës kundër Interit, në ndeshjen e 11 nëntorit 2018. Në atë takim, pas golit të Hateboer dhe barazimit të Icardit, Atalanta fitoi me gola nga Mancini, Gjimshiti dhe Papu Gomez.