Juventusi po përgatit ndryshime të mëdha në afatin kalimtar të janarit, ndërsa në mesin e futbollistëve që mund të largohen nga Torino është edhe ylli i Kosovës, Edon Zhegrova.

Skuadra italiane aktualisht renditet në vendin e shtatë në Serie A dhe ka sulmin e 13-të më të mirë të kampionatit, me vetëm 15 gola të shënuar.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit e kanë të qartë se duhet të ndryshojnë diçka nëse dëshirojnë të sigurojnë kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Reklamë

Drejtori i përgjithshëm Giovanni Carnevali dhe trajneri Luciano Spalletti shpresojnë që rikthimi i futbollistëve të lënduar dhe përforcimet gjatë janarit t’i japin skuadrës një impuls të ri, veçanërisht në repartin ofensiv.

Pas pushimit ndërkombëtar, Juventusi do t’i ketë sërish në dispozicion Francisco Conceicaon dhe Nico Gonzalezin. Spalletti planifikon që këtë të fundit ta përdorë më shumë si sulmues qendror ose pas sulmuesit kryesor, sesa në krahun e sulmit.

Në dhjetor pritet të rikthehet edhe Kenan Yildiz, duke i dhënë trajnerit italian më shumë alternativa në fazën ofensive. Ndërkohë, në mesfushë, rikthimi i Manuel Locatellit dhe Khephren Thuramit pritet të ndodhë vetëm gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm.

Përveç rikthimit të futbollistëve të lënduar, Juventusi shpreson që edhe afati kalimtar i janarit ta ndihmojë në përmirësimin e sezonit.

Carnevali dhe Massara duhet të shqyrtojnë mundësitë për shkëmbime dhe shitje të futbollistëve, krahas mjeteve që do të sigurohen nga rritja e kapitalit të klubit.

Reklamë

Rreth 100 milionë euro nga rritja e kapitalit prej 250 milionë eurosh janë paraparë për transferime gjatë janarit dhe afatit kalimtar të verës së ardhshme. Për këtë arsye, shpenzimi i një pjese të madhe të kësaj shume që në janar nuk do të ishte zgjidhja më e mirë.

Në këtë drejtim, shkëmbimet dhe shitjet e futbollistëve mund të luajnë rol vendimtar në planet e Juventusit.

Sa i përket shkëmbimeve, Juventusi dhe Atletico Madridi kanë rifilluar bisedimet për të ardhmen e Jonathan Davidit dhe Alexander Sorlothit.

David aktualisht është i huazuar nga Juventusi te Atletico Madridi, me klubin spanjoll që ka të drejtën e blerjes për 15 milionë euro. Në anën tjetër, Juventusi dëshiron ta transferojë Sorlothin gjatë verës së ardhshme.

Reklamë

Paraqitjet e mira të Davidit në Madrid mund ta përshpejtojnë marrëveshjen që në janar, duke bërë që edhe sulmuesi norvegjez të transferohet në Torino.

Megjithatë, vëmendje të veçantë në planet e Juventusit kanë edhe tre futbollistë që mund të largohen në janar: Federico Gatti, Andrea Cambiaso dhe Edon Zhegrova.

Gatti ka luajtur më shumë në ndeshjet e fundit, por pas një paraqitjeje të mirë kundër AZ Alkmaar në Ligën e Evropës, ai ka shprehur pakënaqësinë për minutat e pakta.

“Për të performuar në nivelin tim më të mirë, kam nevojë të luaj rregullisht”, kishte deklaruar mbrojtësi italian.

Reklamë

Klube të Premierligës vazhdojnë ta monitorojnë situatën e futbollistit të lindur në vitin 1998, veçanërisht Aston Villa dhe Tottenham. Megjithatë, karakteristikat e tij nuk e bëjnë njërin prej mbrojtësve të preferuar të Spallettit.

Juventusi shpreson të përfitojë të paktën 15 milionë euro nga shitja e mundshme e Gattit, i cili ka kontratë deri në vitin 2030.

Edhe Andrea Cambiaso mund të largohet nga Torino. Pas dy sezoneve të vështira, të karakterizuara nga lëndimet, gabimet dhe luhatjet në formë, vlera e tij në treg ka rënë ndjeshëm.

Megjithatë, Juventusi synon të përfitojë 20 milionë euro nga shitja e futbollistit të lindur në vitin 2000, i cili ka kontratë deri në vitin 2029. Cambiaso ka admirues në Spanjë dhe te Milani, ndërsa si zëvendësues i tij mund të vijë Juan Miranda nga Bologna.

Reklamë

Në fund, është Edon Zhegrova, i cili po kalon një periudhë të vështirë te Juventusi.

Reprezentuesi i Kosovës nuk është përfshirë në listën e klubit për garat e UEFA-s dhe nën drejtimin e Spallettit është aktivizuar vetëm në minutat e fundit të ndeshjeve të kampionatit.

Deri më tani, sezoni i tij është karakterizuar nga një dygolësh kundër Sassuolos, i cili nuk pati ndikim në rezultat, si dhe nga shumë minuta të kaluara në bankën rezervë.

Ashtu si gjatë verës së kaluar, Juventusi pritet ta vendosë Zhegrovën në listën e transferimeve edhe në janar.

Me Kolo Muanin që tashmë luan në krahun e djathtë, si dhe me rikthimin e Nico Gonzalezit, Francisco Conceicaos dhe Kenan Yildizit, mundësitë e kosovarit për të pasur hapësirë në skuadër pritet të zvogëlohen edhe më shumë.

Juventusi e vlerëson Zhegrovën, i lindur në vitin 1999 dhe me kontratë deri në vitin 2030, në 15 milionë euro.

Nëse realizohen të tria shitjet sipas planeve të klubit, drejtuesit e Juventusit mund të arkëtojnë rreth 50 milionë euro, shumë kjo që do t’u mundësonte të ndërhynin në tregun e transferimeve për ta përforcuar skuadrën