Bayern Munich po kalon një periudhë të trazuar, ku problemet sportive dhe tensionet brenda klubit kanë vënë në pikëpyetje edhe identitetin e gjigantit gjerman.

Skuadra bavareze do të përballet të shtunën me Hamburgun, në një moment aspak të lehtë për të. Përveç krizës së lëndimeve që ka prekur repartin ofensiv, ku mungon edhe Harry Kane, Bayerni po përballet me një përçarje mes drejtuesve dhe futbollistëve.

Humbja 2:1 ndaj Lille në Ligën e Kampionëve, e cila i dha fund serisë së pamposhtur të Bayernit, e ka shtuar edhe më shumë presionin.

Reklamë

Por, në qendër të debatit është situata e Jamal Musialës. Drejtuesit e klubit kanë sugjeruar që mesfushori 23-vjeçar të pranojë uljen e pagës, nëse nuk arrin të rikthehet në nivelin e tij të mëparshëm pas problemeve shëndetësore.

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa zëvendëskapiteni Joshua Kimmich ka dalë hapur kundër mënyrës se si klubi po e trajton këtë çështje.

“Është krejtësisht e papranueshme dhe nuk është në frymën e Bayernit”, ka deklaruar Kimmich, duke theksuar se kjo qasje bie ndesh me bashkimin dhe solidaritetin që duhet ta karakterizojë klubin.

Edhe ish-portieri dhe ish-drejtuesi i Bayernit, Oliver Kahn, e ka kritikuar ashpër mënyrën se si drejtuesit po komunikojnë publikisht për situatën e Musialës.

Kjo çështje ka prekur drejtpërdrejt edhe moton e famshme të klubit, “Mia san mia”, që përfaqëson bashkimin, familjen dhe qëndrimin pranë njëri-tjetrit në momentet e mira dhe të vështira.

Reklamë

Në aspektin sportiv, Bayerni ndodhet dy pikë prapa Borussia Dortmundit në Bundesligë, ndërsa përballja me Hamburgun vjen në një moment kur skuadrës i duhet të rikthejë qetësinë dhe rezultatet pozitive.