Babai i Granit dhe Taulant Xhakës, Ragipi ka reaguar ashpër ndaj akuzave të bëra ndaj paraqitjes së Granit Xhakës në ndeshjen me Kosovës.

Ragipi ka qenë me plot kritika për ata që thonin se Graniti dha maksimimun në ndeshjen ndaj Kosovës, duke ngritur pikëpyetje nëse kishte pritje që ai t’ua falte lojën.

“O ju të mjerë, të verbër në zemër dhe në mendje – kur tentoni ta njollosni Granitin, në fakt po e njollosni veten tuaj. Kur e shani, po e tregoni vetëm ligësinë, zilia dhe neverinë që keni brenda vetes. Pse, prisnit që Graniti t’jua falte lojën? Pse nuk e doni suksesin e dikujt që ka ngritur flamurin kuqezi me krenari, që ka mbrojtur nderin e shqiptarëve në fushën e gjelbër dhe në çdo dalje publike?”, ka shkruar Ragip Xhaka, në profilin e tij në Facebook.

Reklamë

Ai ka thënë se dy djemtë e tij dhe shumë sportistë të tjerë shqiptarë në diasporë e kanë ngritur lart imazhin e shqiptarëve në Zvicër, në Evropë dhe në gjithë botën dhe se kurrë nuk e kanë mohuar se janë shqiptarë.

“A harruat se Graniti ngriti shqiponjën në zemër të Rusisë, në një botëror ku gjithë bota po e shihte? A harruat se sa herë e ka ngritur zërin për Kosovën, për Shqipërinë, për nënat shqiptare dhe për të drejtën tonë për ekzistencë?”, ka shkruar tutje ai.

Xhaka ka thënë se Zvicra ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën.

“O të shitur, o të paditur, turp t’ju vijë! Kur e shani Granitin, nuk po shani vetëm një futbollist. Po shani familjen tuaj, po shani një emblemë krenarie shqiptare. Sepse Xhakat kurrë nuk janë gjunjëzuar – dhe nuk kanë për t’u gjunjëzuar!”, thuhet në postimin e tij.

Reklamë

Granit Xhaka foli pas fitores 4:0 ndaj Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës, duke thënë se ata ishin shumë të fortë, dhe jo që Dardanët ishin shumë të dobët.

“Besoj se në pjesën e parë kemi qenë shumë dominues. Nuk jemi të kënaqur me pjesën e dytë, pasi nuk kemi luajtur ashtu siç duhet. Por, një fitore 4:0 ndaj një ekipi shumë të mirë si Kosova, mendoj se e kemi merituar plotësisht sot.”

“Nuk besoj se Kosova ishte e dobët, por ne kemi qenë shumë më të mire, sidomos në pjesën e parë”, deklaroi Xhaka./Reporteri.net