Serbi Djokovic rrëfen bombardimet e NATO-s më 1999

BBC Sport ka publikuar një artikull për tenistin e famshëm serb, Novak Djokovicin, i cili rrëfen për bombardimet e NATO-s në Beograd në vitin 1999. Më poshtë mund të lexoni tekstin e BBC-së.


Duke shikuar përgjatë rrugës, kjo ndërtesë nuk duket aspak ndryshe nga të gjitha ndërtesat e tjera të shpërndara nëpër Beograd. Përderisa hyn brenda, një portë e stilit të burgjeve me shufra metali vertikale e mbron derën e përparme të banesës së parë, në krahun e majtë, shkruan BBC.

Kjo ishte shtëpia e gjyshit të Novak Djokovicit, Vladimirit. Këtu, tenisti numër një i botës për momentin u strehua si fëmijë gjatë bombardimeve të NATO-s në Beograd, mes marsit dhe qershorit të vitit 1999.

Kur sirenat e alarmit dëgjoheshin, familjet e përbëra nga disa gjenerata, bashkë me fqinjët dhe shokët, të gjithë shkonin poshtë shkallëve, duke i kaluar disa dyer të hekurta, për të arritur deri te bodrumi, transmeton Gazeta Express.

Kjo periudhë e ndryshoi mjaft shumë Djokovicin, i cili është 15-herë kampion i Grand Slams dhe njeriu i cili do t’i mbajë të katër titujt për të dytën herë në karrierën e tij nëse arrin ta fitojë French Open.

Djokovic qëndronte në atë banesë me gyshin e tij pasi që prindërit e tij, babai Srdjan dhe nëna Dijana, ishin pothuajse gjatë gjithë kohës larg Beogradit për të punuar. Për të mos ia ndërprerë shkollimin, Djokovici qëndroi me gjyshin e tij.

“Bodrumi është praktikisht vendi ku qëndruam. Të gjithë që mund të futeshin aty, erdhën. Nuk kishim kufizime. Ne po zgjoheshim çdo natë rreth orës 2 apo 3 për dy muaj e gjysmë për shkak të bombardimeve”, thotë Djokovic për ato 78 ditë në vitin 1999.

“Në njëfarë mënyre, ishin ato përvoja që më bënë mua kampion, na bënë neve më të fuqishëm dhe më të uritur për suksese”.

Përderisa ai po e festonte ditëlindjen e tij të 12-të në maj të vitit 1999, një krizë dhjetëvjeçare e kishte shkatërruar Ballkanin dhe Beogradi ishte pika qendrore. 20 vjet më vonë, ende ka tension sa i përket bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë për 11 javë, me qëllim për t’i larguar forcat serbe nga Kosova, ku ata po akuzoheshin për sjellje të egër ndaj shqiptarëve etnikë.

“Kur dëgjohej alarmi dhe dëgjoheshin aeroplanët, ti kurrë nuk e dije se cili vend do të bombardohej”, ka thënë Djordjo Milenic, një burrë i vjetër, i cili ishte shok me gjyshin e Djokovicit dhe jetonte aty afër.

“Ata bombardonin çfarëdo që donin. “Dëm kolateral”, thonin ata. Ata bombarduan ura, spitale, gra shtatzëna vdiqën. Është e vështirë, është e vështirë”.

Bombardimet e NATO-s zgjatën nga 24 marsi deri në 11 qershor 1999. Bombardimet kishin ndodhur për shkak të krimeve dhe gjenocidit që Serbia kishte kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ishin vrarë më shumë se 13 mijë shqiptarë në mesin e të cilëve gra, fëmijë e pleq. Ishin deportuar edhe 1 milion shqiptar nga Kosova ndërsa janë dhunuar më shumë se 20 mijë gra e burra.

Paraprakisht, Serbia kishte refuzuar të nënshkruante marrëveshjen e Rambujes, me të cilin i jepej fund luftës me Kosovën.

Aleanca Veriatlantike kishte bombarduar caqet ushtarake dhe policore në Serbi, Kosovë e Mal të Zi për 78 ditë derisa në kapitullimin e Sllobodan Milloshevicit, i cili kishte pranuar tërheqjen e ushtrisë dhe policisë nga Kosova.